Ministri i Financave, Petrit Malaj ka shpjeguar për Report Tv se përse u vendos që të jepen bonuse mujore për pensionistët. Malaj tha për gazetaren Eliza Gjediku se qeveria shqiptare është në proces të ristrukturimit të skemës së pensioneve, me synimin që ajo të bëhet më e qëndrueshme dhe të garantojë pensione më të larta në vitet e ardhshme.
Sipas tij, ndërsa po kryhet vlerësimi i plotë i skemës aktuale dhe përpara se të paraqiten propozimet konkrete për ndryshimet, është vendosur që pensionistët të mbështeten menjëherë me një skemë bonusi të përmuajshëm.
Ai sqaroi se bonusi i përmuajshëm do të jetë proporcional me kontributet që pensionistët kanë paguar ndër vite. Kjo do të thotë se pensionistët që kanë kontribuar më shumë në skemë do të marrin të ardhura më të larta. Ndërsa ata me kontribute më të ulëta do të përfitojnë më pak.
“Qeveria shqiptare është duke ndërmarrë një ristrukturim të skemës së pensioneve, në mënyrë që ta bëjmë më të qëndrueshme, do garantojë pensione më të larta për pensionistët. Përgjatë vlerësimit që po i bëjmë skemës dhe ku do vijmë me propozime konkrete, kemi menduar që të vijohet me skemën e bonuseve, ta quajmë të ardhura mbi pensionet, që do paguhet çdo muaj dhe do shoqërohet dhe me ndryshimet strukturore që do i ti bëjmë skemës së pensioneve.
Është menduar që e ardhura shtesë që u jepet pensionistëve të jetë në linjë me kontributin që kanë patur pensionistët ndër vite. Ata që kanë kontribuuar më shumë, do marrin të ardhura më shumë, ata që kanë pas kontribut më të ulët do marrin të ardhura më të ulët se grupi tjetër”, tha Malaj për Report Tv.




















