Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është në gatishmëri të plotë për përballimin e pasojave dhe minimizimin e dëmeve nga moti i keq që pritet të përfshijë vendin në 48 orët e ardhshme.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në takimin koordinues të thirrur nga zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, siguroi se të gjitha strukturat dhe mjetet janë gati për të reaguar menjëherë ndaj çdo emergjence që mund të lindë.
“MBZHR është në gatishmëri të plotë, me të gjitha drejtoritë dhe stafin, për të mbështetur përballimin e situatës në terren, veçanërisht në zonat veriore dhe jugore të Shqipërisë”, tha ministri Salla.
Ai shtoi se për zonat e jugut, si Fier dhe Vlora, ku mund të krijohen problematika në grykëderdhje, do të përdoren 16 ekskavatorë me krahë të gjatë për ndërhyrje të menjëhershme.
“Ne jemi plotësisht të angazhuar për të menaxhuar situatën dhe për të koordinuar masat me kryetarët e bashkive dhe prefektët”, tha ministri Salla.
Gjithashtu, Ministri theksoi se për zonën e veriut, në Shkodër dhe Lezhë janë në gatishmëri 8 ekskavatorë, të cilët do të përdoren në mbështetje të operacioneve emergjente për menaxhimin e situatës.
“Kemi angazhuar 8 ekskavatorë dhe jemi të koordinuar me drejtoritë përkatëse dhe hidrovorët për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efektiv”, theksoi ai.




















