Prej disa ditësh, strukturat vendore dhe ato të mbrojtjes civile janë në gatishnëri të plotë, në ndjekje të situatës së krijuar nga reshjet e shiut që kanë vijuar në pothuaj të gjithë territorin e vendit.

Ministria e Mbrojtjes raporton se si vazhdon situate në qarqet me problematike të vendit.

NJOFTIM PËR SITUATËN E KRIJUAR NGA RESHJET NË VEND

Strukturat e mbrojtjes civile, njësitë vendore dhe Forcat e Armatosura kanë punuar pa ndërprerje gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e prurjeve të larta si pasojë e reshjeve të shiut, pastrimin e akseve rrugore, mbrojtjen e banesave dhe evakuimin e qytetarëve në zonat e rrezikuara.

SITUATA SIPAS QARQEVE:

Qarku Durrës

Në Sukth po vijon pastrimi i kanaleve të ujërave me dy eskavatorë, ndërsa në Ishëm po punohet për hapjen e rrugës së bllokuar nga rrëshqitjet. Në Bubq, Mazhë dhe Mallkuç po punohet për normalizimin e zonave të përmbytura dhe asistimin e banorëve. Në Thumanë ekipet po pastrojnë kanalet kryesore dhe po përforcojnë argjinaturat.

Qarku Lezhë

Në Shënkoll po punohet intensivisht për mbylljen e çarjes së argjinaturës së Vainit, ku FA kanë dislokuar mjete të rënda dhe varka për parandalimin e përmbytjeve të fushës së Bregut të Matës.
Në Shëngjin është punuar për largimin e ujin nga oborret e shtëpive, pallateve dhe hoteleve me 10 forca të FA, 3 automjete, 3 pompa si dhe 11 forca bashkiake
Ndërsa në Kurbin dhe Mirditë po punohet për pastrimin e rrugëve, riparimin e urave. Ekipet e emergjencave ndodhen në terren në ndihmë të banorëve, shtëpitë e të cilëve rrezikohen nga rrëshqitjet.

Qarku Kukës

Subjektet kontraktore po pastrojnë gurët dhe inertet në rrugët nacionale për të mbajtur akset të kalueshme, ndërsa në Ujmisht dhe Zapod po punohet për hapjen e rrugëve të bllokuara nga rrëshqitjet. Në Has po vlerësohen dëmet në urën e dëmtuar.

Qarku Shkodër

Në Shalë është hapur segmenti Theth–Ndërlysaj, ndërsa në pjesën Ndërlysaj–Breg-Lumi ekipet vijojnë punën për zhbllokimin e rrugës së mbuluar nga rrëshqitjet.

Qarku Gjirokastër

Në Libohovë po punohet për zhbllokimin e aksit Suhë–Poliçan pas shembjes së rrugës, ndërsa në Dropull ekipet po punojnë për disiplinimin e ujërave dhe rikthimin e energjisë. Në Memaliaj po ndërhyhet në aksin Allkomemaj–Tepelenë për riparimin e trupit të rrugës. Prania e ujit në disa akse të Gjirokastrës po monitorohet nga strukturat vendore.

Qarku Vlorë

Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore po punojnë për evakuimin e familjeve të prekura nga dalja e lumit Kalasë dhe për zhbllokimin e rrugëve ndërmjet fshatrave. Në Finiq po ndërhyhet për largimin e ujërave dhe mbështetjen e familjeve të evakuuara, ndërsa në Selenicë po pastrohen rrëshqitjet në aksin Brataj–Kuç. Në Sarandë po largohet uji nga banesat e përmbytura dhe po asistohen familjet. Niveli i Vjosës vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Qarku Fier
Në Lushnjë po monitorohet situata nga dalja e lumit Seman në tokat bujqësore. Nuk ka rrezik për banesat. Ndërsa strukturat vendore po garantojnë funksionimin normal të akseve rrugore, energjisë dhe ujësjellësit.

Qarku Elbasan

Në akset Elbasan–Peqin dhe Elbasan–Librazhd po pastrohen inertet dhe po lirohen akset rrugore nga inertet. Ndërsa në Gramsh po ndërhyhet me mjete për të shmangur daljen e lumit Kerpicë nga shtrati.

Qarku Berat

Në Berat po vendosen prita mbrojtëse dhe po pastrohen rrugët për shkak të prurjeve të Osumit, i cili ka përmbytur qindra hektarë tokë. Në Poliçan dhe Dimal po ndërhyhet në zonat ku lumi ka dalë nga shtrati dhe po ndihmohen familjet e prekura. Aksi Berat–Poliçan po pastrohet nga gurët dhe inertet.

Qarku Korçë

Në Devoll dhe Miras po punohet për riparimin e urave të dëmtuara, ndërsa në Denas–Lekas po monitorohet aksi rrugor, në të cilin ka prezencë uji. Në Vithkuq e Bulgarec po ndërhyhet pranë banesave të rrezikuara nga prania e ujit. Në Maliq e Kolonjë ekipet po ndërhyjnë për të riparuar pasojat e rrëshqitjeve të dherave.
Po monitorohet rezervuari i Rotit, ku niveli i ujit është rritur.

Qarku Dibër

Në Dibër dhe Klos po punohet për pastrimin e përrenjve që kanë dalë nga shtrati dhe për mbrojtjen e banesave të rrezikuara. Në Mat janë angazhuar mbi 40 forca me mjete të specializuara për hapjen e rrugëve të dëmtuara, evakuimin e familjeve dhe menaxhimin e përmbytjeve në shkolla e banesa. Në disa akse rurale në Dërjan, Rukaj, Macukull e Lis po punohet për rikthimin e qarkullimit.