Myrto Uzuni mund të rikthehet së shpejti në futbollin europian. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që aktualisht luan me Austin FC në kampionatin amerikan MLS, po shqyrton mundësinë për t’u larguar nga SHBA në fund të vitit 2025.

Sipas raportimeve të portalit italian “TuttoCagliari”, 30-vjeçari dëshiron të rikthehet në një kampionat më konkurrues dhe ky qëndrim ka zgjuar interesin e disa klubeve nga Serie A, me Cagliarin që qëndron në krye të listës.

Skuadra sarde po kërkon mundësi të reja në repartin sulmues dhe po analizon shanset për të afruar Uzunin në merkato e janarit, fillimisht në formë huazimi. Një marrëveshje e tillë do t’i jepte mundësinë klubit të testonte përshtatjen e sulmuesit shqiptar në elitën italiane përpara një blerjeje të mundshme në fund të sezonit.

Media italiane thekson se për momentin nuk ka negociata të avancuara, megjithatë pritet që kontaktet të intensifikohen në javët në vijim, në varësi të zhvillimeve të tregut dhe formës së Uzunit në MLS.

Një transferim i mundshëm në Serie A do të shënonte rikthimin e Uzunit në futbollin europian, pas eksperiencës së suksesshme me Granadën në Spanjë dhe Ferencvaros në Hungari. Me përvojën e fituar dhe formën e mirë që ka treguar në SHBA, sulmuesi shqiptar shihet si një alternativë interesante për ekipet që kërkojnë cilësi dhe përvojë në fazën sulmuese.