Ndërsa Komisionerja e Zgjerimit të BE, Marta Kos, ndodhej këtë të premte në Tiranë në Samitin e Growth Plan së bashku me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, ka pasur përgjatë gjithë ditës një sulm të orkestruar nga të gjithë deputetët e Partisë Demokratike, duke tallur dhe stigmatizuar mbiemrin e saj. Në mungesë të Berishës, metafora e ‘bozës’ dhe ‘kosit’ u bë sot baltë prej tyre, sikur të ishin disa inatçorë që e shihnin shfaqjen nga jashtë dhe shanin ata që ishin brenda eventit.

Deklarata e Komisioneres së Zgjerimit sigurisht nuk ishte një qëndrim i saj personal, ashtu sikurse nuk ishin qëndrime personale dikur deklaratat e ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Të parën e stigmatizuan si ‘kos’, të dytën si ‘kimete’.

Duken si humorist dhe sikur i gjejnë epitetet sipas shijes së Doktorit, por harrojnë se as njëra as tjetra nuk vijnë në Tiranë për të folur sipas qejfit dhe dëshirës së tyre. Koha e ka treguar një gjë të tillë.

“Kimeten”, e akuzuan me teori komploti, e tallën, e sulmuan me një energji që s’ua kemi parë as kundër Ramës. Thanë se kishte axhendë personale, se po i shërbente Sorosit, se ishte “e kapur”, “e blerë”, “e korruptuar”, se donte të shkatërronte PD-në. Ndërkohë, fraza e saj e famshme se “me Berishën do të hani bar”, nëse do kishin pak reflektim dhe mendim, do ishte vërtetuar katërcipërisht në ditët e sotme. Sot nuk ka asnjë dyshim. PD-ja ka mbaruar dhe barin dhe është futur në regjim ushqimor.

E njëjta logjikë u përsërit me komisioneren e zgjerimit të BE-së, Marta Kos. E akuzuan se është “zëdhënëse e Ramës”, “pro-qeveritare”, “e orientuar politikisht”, “me axhendë vetjake”.

Në mungesë të argumenteve, PD-ja sulmoi mbiemrin e saj. Një sjellje provinciale, që të kujton sarkazmat e rrugës, jo reagimet e një partie serioze.

Nëse PD-ja do të bëjë politikë, duhet të kuptojë më në fund se negociatat nuk varen as nga emri i komisioneres, e as nga “dashuria” e saj për Edi Ramën. Negociatat varen nga reformat, nga drejtësia, nga stabiliteti dhe nga performanca e shtetit shqiptar, të cilin opozita duhet ta ndihmojë duke qenë alternativë, jo duke u shndërruar nëproblem dhe në pengesë.

Hisotira e Yuri Kim që e tallën dhe e anatemuan duhet t’i shërbente PD-së për reflektim. Ndonëse ajo ka dalë ë pension, ndonëse në SHBA ka ndryshuar administrata, asnjë gjë nuk ka ndryshuar për liderin e tyre të shenjuar non grata dhe të bojkotuar totalisht nga faktori ndërkombëtar.

E njëjta histori duket se po përsëritet edhe me Marta Kos.

Dhe kur historia përsëritet dy herë, nuk është më tragjedi, është komedi.

PD-ja po fundoset për shkak të vetvetes, jo për shkak të Kos-it apo të Kim-it.

Po fundoset edhe se në vend që të mbrojë dhe inkurajojë drejtësinë, fillon me teori konspirative dhe theshethemnaja të denja për mejhanet e provincës.

Nëse nuk do të vënë mend dhe do vijojnë me këtë strategji, kanë për të ngelur përherë në fund të rreshtit, duke sharë e anatemuar ata që janë brenda,që festojnë për arritjet dhe shijojnë shfaqjen, ndërkohë që vetë do vetëkënaqet me këto gjetjet dhe sharjet tipike provinciale. /Tema