Masa e GJKKO-së ndaj zëvendëskryeministres Balluku, që ka të bëjë me pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, është, në vetvete, proporcionale, për shkakun se ajo ka të drejtën të prezumohet e pafajshme dhe duhet të përballet me drejtësinë pa mburojën e pushtetit. Ky zhvillim i ri e fut atë në një listë të gjatë zyrtarësh të mazhorancës që janë ndeshur me SPAK-un: Tahiri, Beqaj, Ahmetaj, Veliaj e të tjerë.

Në çdo vend normal, një sërë goditjesh të tilla ndaj qeverisë do t’i jepnin opozitës frymëmarrje politike. Vetëm në Shqipëri ndodh e kundërta, ku mazhoranca goditet, ndërsa opozita në çdo përballje del edhe më keq.

Arsyeja është se, sa herë drejtësia vepron ndaj pushtetit, PD-ja zgjedh të sulmojë drejtësinë. Në vend që ta lexojë realitetin me syze objective, ajo vijon me akuza për “drejtësi të kapur”, duke i dhënë mazhorancës justifikimin perfekt, i cili, për hir të së vërtetës, rezulton edhe i vërtetë: “Ne i nënshtrohemi drejtësisë, opozita jo”.

Arsyeja se përse e bën një gjë të tillë opozita lidhet vetëm me fatin personal të Sali Berishës. Me një lider që vetë ka përballë drejtësinë, PD-ja nuk ka liri veprimi: ajo nuk mund të pranojë se SPAK-u po godet korrupsionin, sepse do të rrëzonte narrativën me të cilën mbron vetë Berishën. Kështu që kemi një PD që është shndërruar në peng të halleve të një njeriu, që nuk e lejon të shndërrohet në zë të interest publik.

Nga ana tjetër, njerëzit shohin që SPAK po godet majtas dhe djathtas, ndërkohë që për PD dhe opozitën një gjë e tillë funksionon me dy standarde: kur goditet qeveria, ata ose heshtin, ose krijojnë alibi të luftës së brendshme brenda llojit, ndërkkohë kur goditen eksponentë të opozitës fillojnë akuzat që drejtësia është nën komandën e Edi Ramës.

Është kjo paqartësi e PD dhe opozitës ajo që e bën të mos përfitojë dhe të mos t’I shndërrojë goditjet e pushtetit në përfitim electoral.

Në këto kushte, opozita që të fitojë dhe të vijë në pushtet e ka mjaft të lehtë rrugën: mjafton të ndahet prej Berishës, ta lërë në fatin e tij personal dhe penal, ndërsa vetë, nëse e arrin një gjë të tillë, nuk do ta ketë të largët ditën e ardhjes në pushtet. Çdo përpjekje tjetër, është e kotë. Sikur edhe Edi Rama të merret i pandehur nga GJKKO, sërish opozita nuk ka për t’i fituar kurrë zgjedhjet./Tema