Gilmando Dani, 47 vjeç, ka mbetur i vdekur pasditen e kësaj të marte në një atentat mafioz. Një ndër njerëzit e cilësuar si eksponentët më të lartë të krimit në kryeqytetin e Shqipërisë, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit – grupi që deri një dekadë më parë ishte kthyer në tmerrin e bizneseve të Tiranës – u ekzekutua sapo shkeli tokën shqiptare.
Kur të gjithë e dinin në burg ose e kishin harruar emrin e tij, për shkak se Gilmando Dani kishte zgjedhur të mbante një profil gati inekzistent, vrasës profesionistë e pritën në Rinas dhe e ekzekutuan në një prej zonave që duhet të konsiderohej më e sigurta në Shqipëri.

Ndoshta, të tillë e ka konsideruar edhe 47 vjeçari, duke mos menduar se do të gjente vdekjen në rrugën hyrëse/dalëse të aeroportit.

Pas daljes nga burg në tetor 2024 dhe shlyerjes së dënimit 12 vjeçar për shantazh e gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja, Gilmando Dani kishte pësuar një ndryshim drastik në pamje.
Djali shtatlartë dhe i imët që mediat e kishin fiksuar disa herë në gjyqin e grupit Shullazi krah Emiljanos, nuk njihej.

Dukshëm më i shëndetshëm dhe më flokët e rënë, 47 vjeçari kishte marrë drejtimin e grupit dhe paralelisht po përpiqej të ndërtonte një jetë të re.

Siç raportohet, ishte fejuar me një arkitekte dhe mbante një profil të ulët publik. Nuk mund të thuhet me siguri nëse i tillë ishte dhe për Policinë e Shtetit, ama pak por i sigurt është fakti se për shofer kishte një punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore – institucioni që kontrollon Policinë.

Fotografia e fundit e tij i përket periudhës kur është liruar nga qelia dhe ka vendosur të aplikojë për pasaportë biometrike, pra në vitin 2024, ndërsa pamjet e fundit në internet e tregojnë viktimën e atentatit të sotëm krah Emiljano Shullazit në gjyqin maratonë kundër grupit, në 2015.