Nga Skënder Minxhozi/
E dinin që në verë se në pesë bashki do të kishte zgjedhje, pasi kryetarët në detyrë kishin kandiduar për një mandat parlamentari. E parashikonin se edhe tek e gjashta, bashkia e Tiranës, zgjedhjet mund të ishin pas derës, sa kohë që kreu i bashkisë ndodhej në arrest me burg.
E megjithatë në 9 nëntor, shtatë muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, opozita vendosi të dërgojë një listë të pavarurish në këmbë të kandidatëve të saj me stemë dhe logo partie mbi gjoks. Persona të cilët mund të kenë karriera të lavdërueshme në jetët e tyre, siç është fjala vjen kandidati vlonjat, por që politikisht s’kanë lidhje përfaqësimi zyrtar me opozitën.
Nuk janë ata problemi real, problem është pala që i propozon, e cila çalon në leximin e drejtë të asaj që përfaqëson një fushatë zgjedhore për Tiranën apo Vlorën. Ashtu siç nuk është aspak normale që PD të ndjehet e imponuar nga partitë e reja opozitare, të cilat patën goxha rol në imponimin e disa prej të të pavarurve-opozitarë të 9 nëntorit. Demokratët hapën krahun në një gjest kombëtar vetëdorëzimi, të cilin duan ta shesin si “risi elektorale”.
Ajo që ndodhi këto zgjedhje të pjesshme me filtrimin masiv të kandidatëve të pavarur në krahun opozitar, përbën një precedent të rrezikshëm për imazhin e sotëm dhe të nesërm të opozitës në përgjithësi dhe të Partisë Demokratike në veçanti.
Nëse ka pasur zgjedhje që diheshin se do të mbaheshin, ishin këto të 9 nëntorit. E megjithatë është shokuese shpërfillja dhe lehtësia fluturake me të cilën PD dhe Berisha pranuan që të rreshtohen pas kandidatësh të cilët deklaronin që në prezantimin e tyre të parë publik se nuk do të pranonin politikanë opozitarë në fushatë! Zhveshja brutale nga identiteti politik e ideologjik i të kandiduarve të saj, që PD pranoi duke nisur nga Tirana, është një indikator shumë shqetësues për frikën obsesive që kjo parti ka në lidhje me zgjedhjet.
Opozita duhet të jetë e gatshme të shkojë në zgjedhje çdo ditë, sa herë zbardh dita, pa asnjë mëdyshje dhe dilemë. Ky është refleksi i kushtëzuar më normal dhe i gjithëpranuar i çdo pakice në një sistem demokratik, që synon të bëhet shumicë, e jo fshehja pas gishtit, duke treguar dobësi, frikë dhe pasivitet.
Përfaqësuesit e të gjitha niveleve dhe rangjeve në PD i harxhuan shumicën dërrmuese të javëve që nga shpallja e zgjedhjeve të 9 nëntorit, duke u ankuar për manipulimin e zgjedhjeve dhe duke anatemuar Ramën që vjedh votat, në vend që të thuhej diçka për bashkitë që shkonin në votim. Një pjesë e Vlorës përmbytet sa herë bie shi, qytetet e vogla vuajnë gërryerjen demografike, mungesën e fondeve, krizën e sektorit të bujqësisë dhe mbylljen e industrive që të punësojnë të rinjtë, ndërsa elita opozitare e Tiranës ngrefoset televizioneve duke mallkuar ditën qeverinë e natën duke bërë pakte me të në Parlament.
Tirana nuk e meritonte që opozita të shkonte me “bedel” në garën e saj. Nuk e meriton këtë as Vlora apo bashkitë më të vogla, të cilat kanë peshën e tyre në skakierën kombëtare të votave.
Pa atakuar aspak personat që ndodhen në garë, kjo është një sjellje e papërgjegjshme e panelit opozitar zyrtar, i cili qysh në ditën e parë të fushatës ka dhënë publikisht mesazhin e humbjes në të gjitha bashkitë, duke u fshehur pas kandidatësh për të cilët në rast disfate do të thuhet “nuk ishte i yni”, kurse në rastin (shumë të vështirë) të një fitoreje, ata do të reklamohen si zbulimi i Gralit të Shenjtë. E shikoni si fitohet kundër Ramës, ne e gjetëm formulën! Lojra banale që në thelb kamuflojnë keq pafuqinë dhe vetëdorëzimin. /JavaNews/




















