Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë këtë të mërkurë, më 12 nëntor, drejt Romës për të marrë pjesë në takimin e parë ndërqeveritar Shqipëri–Itali (G2G Government to Government), i cili do të mbahet nesër.

Ky takim, që do të zhvillohet mes dy qeverive, ka në qendër forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh përmes projekteve të përbashkëta në fusha kyçe si ekonomia, energjia, mbrojtja dhe infrastruktura. Të enjten, më 13 nëntor, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim zyrtar me Kryeministren italiane Giorgia Meloni. Më pas, të dy do të marrin pjesë në seancën plenare të mbledhjes ndërqeveritare, së bashku me ministrat e të dy kabineteve.

Në rendin e ditës së takimit të së enjtes parashikohet gjithashtu nënshkrimi i disa marrëveshjeve dypalëshe dhe memorandumeve të mirëkuptimit mes dy vendeve. Sipas njoftimit të Pallatit Chigi, mbledhja do të nisë në orën 11:30 dhe do të mbahet në Villën Doria në Romë.