Një shpejtësi e pazakontë në kalimin e akteve për arritjen e shkarkimit. Kjo është ajo çka avokatët e Veliajt konstatuan gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese.
Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Alban Dokushi ka renduar të gjithë procedurat e ndërmarra që nga Këshilli Bashkiak e deri tek firmosja e vendimit për shkarkimin nga Këshilli i Ministrave. Siç konstatoi dhe Veliaj, vendimet janë marrë brenda një harku kohor të shkurtër, gjë që nuk ka ndodhur në situata të tjera, që kanë qenë serioze për vetë Bashkinë e Tiranës.
“Nga të gjitha materialet e dërguara nga Gjykata Kushtetuese që përbëjnë procedurën që nga propozimi deri tek shkarkimi i Veliajt, vërehet se mbledhja e Këshilli Bashkiak është caktuar më datë 23 shtator. Në datë 24 është bërë zbardhja dhe protokollimi i vendimi të Këshillit Bashkiak. Po në datë 24 është dërguar për konfirmim tek Prefekti i Tiranës, po në datë 24 shtator prefekti e ka dërguar vendimin e konfirmuar Këshillit Bashkiak dhe i ka dërguar vakancën Këshillit të Ministrave.
Po në datë 24 shtator Ministri për Pushtetin Vendor ka propozuar projekaktin për shkarkimin e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj. Po në datë 24, ministri i Drejtësisë ka dhënë mendim për projektaktin, po në datë 24, është përfshirë si shtesë në rendin e ditës. Në datë 25 shtator ka ndodhur vendimi për shkarkimin e kryetarit të bashkisë”, tha avokati i Veliajt, Alban Dokushi.




















