Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka reaguar për herë të parë për debatin publik që është hapur ditët e fundit, për ruajtjen e sekretit hetimor nga institucioni qendror i akuzës dhe rrjedhjen e informacioneve të caktuara në publik.

Në një takim informal me gazetarët, ai është shprehur se transparenca dhe ruajtja e sekretit hetimor ndahen nga një vijë shumë e hollë, duke lënë të kuptohet se ndonjëherë edhe mund të jetë shkelur.

“E ndan një vijë shumë e hollë transparencën nga ruajtja e sekretit hetimor. Sekreti i hetimit dhe të drejtat e palëve në proces duhen ruajtur”, ka thënë ai.

Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e mediave, Altin Dumani – në javën e fundit si drejtues i SPAK – është shprehur se puna në krye të organit qendror të akuzës në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë.

“Nuk ka qenë e lehtë puna, SPAK në vite ka arritur të krijojë besim te partnerët”, ka thënë kryeprokurori. “Shumë çështje do doja t’i kisha bërë në muajin e dytë të punës, por çdo gjë do kohën e vet.”

Gazetarët e kanë pyetur edhe për deklaratat se është kërcënuar dhe ai u ka konfirmuar “Ka pasur kërcënim ndaj prokurorëve dhe institucionit.”