Në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Romës ka nisur sot gjyqi ndaj Mark Antony Samson, 23-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij shqiptare, Ilaria Sula, mbrëmjen e 25-26 marsit.

I pandehuri ishte i pranishëm në sallë, i mbyllur në kafazin prej hekuri, pa asnjë shprehje emocioni dhe pa kontakt me prindërit e viktimës, që ndiqnin procesin nga rreshti i parë, të veshur me bluza ku shkruhej “Drejtësi për Ilarian”.

Prokuroria kërkoi gjykim të menjëhershëm për Samsonin, ndërsa prindërit e vajzës u shprehën se duan vetëm drejtësi:

“Ajo nuk e meritonte këtë fund. Nuk e kemi dëgjuar zërin e saj prej shtatë muajsh. Na ka marrë gjithçka nga zemra. Për ne, ai thjesht nuk ekziston,” – thanë ata pas seancës.

Avokati i familjes, Francesco Sforza, vlerësoi qëndrimin e tyre si një akt guximi. “Të jesh vetëm pak metra larg njeriut që i mori jetën vajzës së tyre, tregon dinjitet dhe forcë të jashtëzakonshme.”, tha ai. Sipas hetimeve, Ilaria kishte shkuar në apartamentin e ish-të dashurit të saj në Via Homs për të marrë sendet personale. Aty, pasi kishte fjetur një natë, u qëllua për vdekje me tre goditje thike në qafë. Trupi i saj u fut në një valixhe dhe u hodh nga një shkëmb në zonën e Capranica Prenestina.