Kombet e Bashkuara njoftuan se temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë bërë që viti 2025 të jetë në rrugë për t’u renditur ndër vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë.
Sipas Agjencisë për klimën dhe motin të OKB-së, edhe pse 2025 nuk pritet të tejkalojë vitin 2024 si viti më i nxehtë i regjistruar, ai pritet të renditet i dyti ose i treti, duke mbyllur një dekadë të kaluar me temperatura të paprecedentë. Kjo paralajmërim u bë publik ndërsa udhëheqësit botërorë u mblodhën në Amazonën braziliane, në qytetin Belem, përpara Samitit të Klimës COP30 të OKB-së që do të mbahet javën e ardhshme.
Shefja e Organizatës Botërore Meteorologjike, Celeste Saulo, theksoi se këto zhvillime tregojnë se “do të jetë praktikisht e pamundur të kufizohet ngrohja globale në 1.5 gradë Celsius në vitet e ardhshme pa kaluar përkohësisht objektivin e Marrëveshjes së Parisit”.
Marrëveshja e Parisit, e arritur në vitin 2015, kishte si qëllim mbajtjen e ngrohjes globale nën dy gradë Celsius mbi nivelet para-industriale dhe, nëse do të ishte e mundur, nën 1.5 gradë Celsius. Megjithatë, Saulo insistoi se, përkundër situatës kritike, shkenca është e qartë: është e mundur dhe thelbësore që temperaturat të ulen në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka cilësuar mosarritjen e objektivit të temperaturës si një “dështim moral”. Ndërkohë, shefi i shkencëtarëve të klimës në OKB, Chris Hewitt, deklaroi se ende nuk dihet për sa kohë do të mbetemi mbi pragun 1.5°C, dhe kjo do të varet nga vendimet që merren tani, duke e quajtur këtë një nga sfidat kryesore të COP30.
Raporti i OKB-së nënvizon se vitet ndërmjet 2015 dhe 2025 kanë qenë më të nxehtët që nga fillimi i regjistrimeve meteorologjike, para 176 vjetësh. Vitet 2023, 2024 dhe 2025 renditen në krye të listës, ndërsa temperatura mesatare globale gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025 ka qenë 1.42°C mbi nivelin para-industrial. Përqendrimet e gazrave serrë që mbajnë nxehtësinë në atmosferë dhe nxehtësia në oqeane vazhdojnë të rriten, duke arritur nivele më të larta se ato të vitit 2024.
Raporti gjithashtu paralajmëron për ndikimet e dukshme të ngrohjes globale: shtrirja e akullit në Arktik ka arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë pas ngrirjes dimërore, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit nga përmbytjet shkatërruese te valët e të nxehtit dhe zjarret e egra kanë pasur “pasoja të rënda për jetën, jetesën dhe sistemet ushqimore” në të gjithë botën.
Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, udhëheqësit ende nuk kanë përmbushur zotimet e Marrëveshjes së Parisit, duke vënë në dukje sfidat e mëdha që përballen vendet për të zvogëluar emetimet dhe për të mbajtur ngrohjen globale nën pragun kritik. Raporti i OKB-së thekson se vendimet që do të merren tani do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse njerëzimi mund të stabilizojë temperaturat globale dhe të minimizojë dëmet e mëtejshme klimatike.




















