Ndarja nga jeta e liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i ka lënë të trishtuar jo vetëm familjarët e miqtë e ngushtë, por të gjitha ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të ndër vite.
Një prej tyre është deputeti i PS Erion Braçe i cili në një intervistë për gazetarin e Top Channel Muhamet Veliu, ka rrëfyer shumë nga historitë me Nanon, apo bashkëpunimin me të.
Por cili është një kujtim që Braçe e veçon në aspektin njerëzor me ish-kryeministrin?
“Në plan personal, më njerëzor është kur u bëra me vajzë, Fatos Nano habiti gjithë lagjen time… kërkonin nëpër lagje ‘ku e ka shpinë ai’.
Një komshiu im i ra derës dhe më tha ‘ore po të kërkojnë këta të Gardës’. ‘Garda mua?’ i thash… një nga ato oficerët më tha ‘po vjen kryeministri, është bashkë me zonjën’. Dhe më erdhi në shtëpi”, rrëfeu ai.
Braçe ka deklaruar se Nano është udhëheqësi historik i PS-së, teksa shtoi se ata janë produkt i shkollës së tij politike.
Ndër të tjera Braçe u ndal edhe tek diskutimet që ka pasur me të ndjerin, gjatë kohës që ishin bashkë në politikë.
“Fatos Nano është udhëheqësi historik i PS-së. Nga rrënojat e Partisë së Punës ndërtoi një gjë komplet të re me bashkëpunëtorë, një forcë politike që i mbijetoi kohës. Mbi të gjitha, forcë politike ekuilibruese në Shqipëri.
Kijeni parasysh që nuk ka qenë e lehtë fare, se midis dy periudhave ishte burgu në mes dhe dhunë ekstreme sa here që ai mundohej të sillte në politikë qetësi, kulturë dhe dialog. Ne jemi produkt i asaj shkolle që Fatos Nano solli në PS dhe politikë”, u shpreh Braçe.




















