Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) ka njoftuar se ka parandaluar një atentat të dyshuar të inteligjencës ukrainase ndaj një zyrtari të lartë të shtetit. Lajmi u bë i ditur nga agjencia ruse Tass.

Sipas FSB‑së, tre persona janë arrestuar: një çift rus dhe një emigrant nga një vend i Azisë Qendrore. Plani, sipas hetimeve, parashikonte vendosjen e një bombe në varrezat e Moskës, pikërisht mbi varrin e familjarëve të objektivit, duke përdorur një kamerë të fshehur brenda një vazoje me lule.

“FSB-ja ka parandaluar një akt terrorist të planifikuar nga shërbimet speciale ukrainase kundër një prej zyrtarëve më të lartë të Federatës Ruse”, thuhet në deklaratën e shërbimit të sigurisë. Sipas autoriteteve, mjeti shpërthyes ishte parashikuar të aktivizohej gjatë një vizite në varrezat Troyekurovskoye.

Hetuesit pretendojnë se shërbimet ukrainase kanë rekrutuar një emigrant të paligjshëm nga Azia Qendrore dhe kanë përdorur dy shtetas rusë, të cilët më herët janë dënuar për varësi nga droga.

FSB-ja thotë se ka sekuestruar telefona ku janë gjetur biseda në WhatsApp dhe Signal, që sipas tyre tregojnë komunikimin e të arrestuarve me një punonjës të inteligjencës ukrainase dhe provojnë komplotin.