Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas dëshmisë së gjeneralit amerikan Wesley Clark në Gjykatën e Hagës, duke theksuar mesazhin që ai përcolli për lirinë dhe qëndresën e popujve.

“Dje, në sallën e Hagës, gjenerali amerikan Wesley Clark rikujtoi para botës një të vërtetë të thjeshtë: se ka momente në histori kur një popull ngrihet jo për dhunë, apo për pushtet, por për të mbrojtur dritën e vet,” shkroi Spiropali në reagimin e saj.

Ajo solli në vëmendje paralelet historike që përmendi Clark, duke i lidhur me qëndresën shqiptare dhe europiane.
“Ashtu siç luftuan bijtë e lirisë në kontinentin amerikan në vitet 1770, edhe bijtë e Kosovës u ngritën për dinjitet, për të drejtën për të jetuar të lirë.
E njëjta dritë, i njëjti zjarr, sot digjet në Ukrainë,” vijoi ministrja.

Sipas saj, liria ndjek një ritëm të pandryshueshëm:
“Liria ka gjithmonë të njëjtin ritëm: fillon me një padrejtësi, rritet me një zë që nuk pranon heshtjen dhe mbaron me një popull që qëndron në këmbë.”

Në mbyllje, Spiropali nënvizoi pozicionin e Shqipërisë përkrah kombeve në mbrojtje të pavarësisë së tyre.
“Shqipëria qëndron krah atyre që zgjodhën dhe zgjedhin lirinë,” deklaroi ajo.