Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ishte në një linjë me Sali Berishën dhe deklaroi se Edi Rama është i shantazhuar nga Belinda Balluku, ndaj dhe nuk ka marrë vendimin për shkarkimin e saj.
Ai vijoi me akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, që me vendim të GJKKO-së është pezulluar nga detyra si numri dy i qeverisë e njëkohësisht ministre e Infrastrukturës e Energjisë.
“Rama është në krye të çdo afere korruptive, Balluku e ka ulur në gjunjë dhe e shantazhon”, deklaroi Bardhi.
Demokrati hodhi akuza të forta edhe ndaj Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.
“Komisionerja u bë zëdhënëse e një qeverie të korruptuar, të deformosh realitetin dhe të mohosh atë që ka thënë OSBE/ODIHR-i e zeza mbi të bardhë, nënkupton që jo vetëm nuk ke respekt për veten, por asnjë fije respekti ndaj qytetarëve shqiptarë. Unë ndjej keqardhje që zonja Kos u bë sot zëdhënëse, se çfarë e detyron të dalë jashtë rolit të saj dhe parimeve europiane, ju ftoj ta pyesni”, tha ai.
Më tej, paralajmëroi se “personalisht unë e di çfarë e detyron zonjën Kos që të shndërrohet në një zëdhënëse të të pavërtetës. Por ju sigurojmë se do të bëjmë gjithçka që këtë ta mësojnë edhe shqiptarët, por edhe europianët shumë shpejt. Por për sot po ndalem këtu”.
Gjatë samitit rajonal, Kos u pyet sa i takon raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Është mirë kur marrim sugjerime për përmirësime dhe kjo është gjë e mirë për Shqipërinë dhe BE-në”, ishte përgjigja e Kos.




















