Nga Roland Bejko
Gabriel Guma është një super djalë, që ka një ëndërr të bukur dhe të sinqertë të jetë dikush në këtë vend për vete, familjen dhe shoqërinë.
Si mik i babait të tij, të ndjerit Altin, kur më pyeti, e këshillova të mos kandidonte sepse rezultati ishte i paracaktuar. Hienat e vjetra, nëse do kishin qoftë edhe një shans të vetëm për të fituar, nuk do t’u binte ndërmend të kandidonin një djalë të ri e të pastër si Gabrieli, por do kandidonin vet për kreun e bashkisë Tepelenë.
Por Gabi, vendosi ta provonte duke e parë si sfidë dhe përvojë personale.
Gabrieli, është një djalë i realizuar, i talentuar, me zemër të madhe, i artë. Këtë ambicie ia zbuluan qelbësirat, dhe i mbushën mendjen të kandidonte në një terren të minuar, e në një pazar të mbyllur nga ato hiena të pabesa që kanë marrë peng PD dhe po e vdesin përditë e më shumë duke i pirë edhe gjakun e fundit që i ka mbetur asaj. 900 votat që mori Gabrieli i ka personale, dhe është i nderuar. Si mund të fitojë Gabrieli, dhe gjithë gabrielët e rinj plot ëndrra që besojnë tek e djathta, kur ata që shkojnë me demek për t’i mbështetur, në publik bëjnë foto nga takimet me Gabrielin, dhe në darkë bëjnë biznes me familjarët e kundërshtarit të Gabrielit?!
Gabrieli meriton respekt për guximin që pati të kandidonte në një teren të tradhtuar me kohë, nga ata që turpin e kanë lënë mbrapa në një tjetër kohë të largët mbytur nën gërmadhat e kishave dhe xhamive që shembën në frymëzimin makabër ardhur nga revolucioni kulturor kinez që në 1967-ën.
Kaq mund “të fitosh” po besove në mbështetjen e haleve të PD, që po tallin b…. me demokratët e gjorë duke u helmuar trurin me gënjeshtra armiqsh të brendshëm e të jashtëm, mjaftueshëm sa për të siguruar privilegje, para dhe pushtet për vete e familjet e tyre.




















