Debati i ndezur mes Partisë Demokratike dhe institucioneve të Bashkimit Evropian pas deklaratave të Komisioneres Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit, ka qenë tema qendrore e emisionit “Trialog” në RTSH. Nën moderimin e Alba Alishanit, paneli i përbërë nga analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, ka zbërthyer lëvizjen e fundit të opozitës dhe reagimin ndaj Brukselit.

Analisti Preç Zogaj ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj strategjisë së PD-së, duke e cilësuar qasjen konfliktuale me ndërkombëtarët si një rrugë pa krye.

Marrëdhënia konfliktuale Berisha-Perëndim

Sipas Zogajt, historia po përsëritet. Ai theksoi se marrëdhëniet e Sali Berishës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, sa herë që ai ndodhet në opozitë, kanë qenë historikisht problematike.

“Marrëdhëniet e Berishës me BE dhe SHBA, kur është në opozitë, kanë qenë konfliktuale,” u shpreh Zogaj, duke theksuar se kjo është një vazhdimësi e një cikli të vjetër politik.

Lidhur me deklaratën e shumëdiskutuar të Komisioneres së Zgjerimit, e cila i cilësoi zgjedhjet “të lira dhe të ndershme”, Zogaj tha se ajo nuk flet si individ, por si zëri i qeverisë evropiane.

“Kur zyrtarët e lartë të BE-së flasin për integrimin, ata nuk flasin personalisht, por në emër të qeverisë së BE-së që kryesohet nga Ursula von der Leyen,” sqaroi analisti.

Ai solli në vëmendje edhe faktin se Kos vjen nga Sllovenia, një vend që historikisht ka mbështetur Shqipërinë.

“Politikanët sllovenë kanë dëshmuar që janë më dashamirës për Shqipërinë. Dëshmi për këtë është edhe Tanja Fajon, e cila bëri çmos për liberalizimin e vizave,” tha ai.

Duke analizuar raportin e OSBE/ODIHR, mbi të cilin opozita bazon akuzat e saj, Zogaj argumentoi se raporti përmban kritika për të gjitha palët dhe jo vetëm për qeverinë. Ai bëri një paralele historike me vitin 1996:

“Edhe në 1996 raporti i OSBE/ODIHR i bëri blozë zgjedhjet në vend. Por në dorë më pas procesin e morën SHBA dhe BE. Raporti ka damkosje për të gjithë.”

Në mbyllje, Zogaj dha një mesazh të qartë për strategjinë e opozitës: “Opozita nuk fiton asgjë duke bërë kontrapedalin për integrimin. Për mua ajo duhet të jetë një hap para qeverisë, në pararojë të këtij procesi. Nga të bërit anëtarë fiton i gjithë vendi.”