Pezullimi i zëvendeskryeministres Belinda Balluku nga SPAK, ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, pas padisë së paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama. Përmes padisë kërkohet shpallja antikushtetuese e vendimit të Gjykatës së Posaçme dhe të SPAK, si një ndërhyrje direkte në pushtetin ekzekutiv.

Avokati Idajet Beqiri i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” ngriti alarmin duke thënë se me këtë vendim, GJKKO-ja po “deformon rëndë rolin dhe ndarjen e pushteteve”.

Ai kritikoi ashpër kërkesën e prokurorit të SPAK për vendosjen e masave kufizuese ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si veprim antikushtetues.

“Problemi është serioz. Kemi të bëjmë me një deformim të rëndë të rolit të pushteteve dhe ndërhyrjes së një pushteti në tjetrin. Kjo do zgjidhje, dhe zgjidhjen e jep Gjykata Kushtetuese. Ministrja në pikëpamjet e imunitetit barazohen me deputetin. Prokurori i SPAK që ka bërë këtë propozim, që zv.kryeminsires ti ndalohet dalja jashtë shtetit, masa ndaluese dhe të mos ushtrojë funksionin e zv.kryeministres, janë masa jo propocionale dhe janë antikushtetuese”, tha ai.

Sipas Beqirit, ministrat dhe anëtarët e qeverisë në pikëpamje të imunitetit barazohen me deputetët, ndaj siç pohon ai “nuk është e mundur të kërkohet pezullimi i tyre nga detyra përmes një mase sigurie”.

Ai theksoi se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të japë zgjidhje për situatën e krijuar, duke kërkuar që rasti i padisë të trajtohet me prioritet pasi pezullimi i Belinda Ballukut e bën qeverinë jo funksionale.

“Nuk mund të kërkosh pezullimin nga detyra të një anëtari të qeverisë dhe në këtë rast të zv.kryeministres. Kushtetuesja duhet ta shohë me prioritet padinë. Balluku është zgjedhur si deputete. Prokurori dhe gjykatësi Kanë shkelur kushtetutën. Kam frikë se janë ndikuar politikisht”, tha ai.

Beqiri u shpreh se prokurori dhe gjyqtari që kanë miratuar masat ndaj zv.kryeministres kanë shkelur Kushtetutën. Ai u shpreh i shqetësuar, duke shatuar se “disa segmente brenda SPAK dhe GJKKO po e sabotojnë rëndë reformën në drejtësi”.

“Çdo ditë që po vjen, ne po shikojmë që gjithë ato të mira që na solli reforma në drejtësi, disa segmente brenda SPAK dhe brenda GJKKO po e sabotojnë rëndë reformën në drejtësi”, tha ai.