Në maj të vitit 2024, në Komisionin e Ligjeve, i drejtova Prokurorit të Përgjithshëm një pyetje që prekte një devijim delikat të arkitekturës së Reformës në Drejtësi: “Kush i heton gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme? Ju apo Prokuroria e Posaçme?” Pyetja nuk ishte rastësore. Ajo vinte si pasojë e një anomalie të rëndë të fshehur në legjislacion, një devijim kushtetues që ka kaluar pothuajse pa vëmendje: neni 14 i ligjit nr. 95/2016. Ky nen parashikon se “Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, kur kanë dyshime të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të Prokurorisë së Posaçme ose gjyqtarë të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.” Një dispozitë e futur mes dhjetëra faqeve të paketës së reformës, e cila i jep Prokurorisë së Posaçme një kompetencë që Kushtetuta nuk ia ka dhënë dhe as e ka autorizuar të rregullohet me ligj. Një kompetencë që përmbys arkitekturën kushtetuese të reformës dhe krijon një varësi të drejtpërdrejtë të gjykatave të posaçme ndaj SPAK.

Ky nen duhej të ishte shfuqizuar dje. Sot është një urgjencë institucionale.

Reforma në prokurori/gjykatë speciale u ngrit mbi dy shtylla kushtetuese dhe neni 14 rrëzon një prej tyre. Shtylla e parë është kompetenca për shkak të veprës penale: SPAK dhe Gjykata e Posaçme procedojnë vetëm për “veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar”, siç përcakton neni 135/2 i Kushtetutës. Shtylla e dytë është kompetenca për shkak të funksionit: Kushtetuta, me ndryshimet e vitit 2016, listoi shterueshëm funksionarët e lartë që hetohen nga SPAK-u dhe gjykohen nga Gjykata e Posaçme. Në këtë listë përfshihen Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky listim u kërkua posaçërisht nga Komisioni i Venecias, i cili në opinionin e tetorit 2015 theksoi se funksionarët e lartë duhet të përcaktohen në Kushtetutë, jo në ligj. Pra, lista mbyllet aty: nuk zgjerohet me ligj të zakonshëm, nuk hapet me nene të fshehura dhe nuk mund të ndryshohet nga vullneti i çastit politik.

Megjithatë, ligjvënësi futi një nen që përmbys të gjithë ndërtimin kushtetues. Neni 14 i ligjit nr. 95/2016, me titull paradoksal “Përgjegjshmëria”, parashikon se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorët e kësaj prokurorie ose gjyqtarët e gjykatave të posaçme. Me këtë formulim, ligji i ka dhënë SPAK-ut një kompetencë që Kushtetuta nuk e ka dhënë dhe për të cilën nuk ekziston asnjë autorizim kushtetues. Kushtetuta ka përcaktuar qartë rrethin e funksionarëve që i nënshtrohen juridiksionit të posaçëm dhe kjo listë është e mbyllur. Ligji i thjeshtë nuk mund të ndryshojë hirarkinë normative kushtetuese. Neni 4/3 i Kushtetutës e thotë qartë: “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.”

Neni 14 bie drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën, sepse krijon një kategori të re subjektesh nën juridiksionin e SPAK-ut, cenon parimin “lex superior derogat inferiori” (ligji më i lartë prevalon ligjin më të ulët) dhe godet në thelb pavarësinë e gjykatave të posaçme. Paanshmëria është e pamundur në një sistem ku gjyqtari i posaçëm gjykon kërkesat e SPAK-ut, ndërsa SPAK-u mund ta marrë vetë gjyqtarin në hetim. Ky është konflikt strukturor interesi. Parimi i paanshmërisë, si në dimensionin subjektiv ashtu edhe në atë objektiv, kërkon që gjyqtari të jetë i mbrojtur nga çdo varësi ndaj palëve dhe të bind palët se është vërtet i paanshëm. Si mund të jetë i pavarur një gjyqtar që i nënshtrohet hetimit të organit që ai vetë gjykon? Kjo krijon një varësi institucionale të kodifikuar me ligj, e papajtueshme me rendin kushtetues.

Ndërkohë që neni 14 ka “rregulluar” hetimin, nuk ka mundur të rregullojë gjykimin. Kush i gjykon gjyqtarët e posaçëm sipas këtij neni? Neni 14 i jep SPAK-ut vetëm kompetencën e hetimit, por nuk përcakton asnjë gjykatë kompetente për t’i gjykuar gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Kushtetuta nuk ia jep këtë kompetencë Gjykatës së Posaçme; ligji nuk ia jep këtë kompetencë; dhe kështu krijohet një mekanizëm ku SPAK heton, ndërsa – sipas Kodit të Procedurës Penale – gjykimi i tyre i kalon gjyqtarit të juridiksionit të zakonshëm. Ky është një konfuzion i pastër normativ dhe një standard i dyfishtë i papranueshëm: ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët e juridiksionit të zakonshëm hetohen dhe gjykohen nga një strukturë tjetër nga ajo ku ushtrojnë funksionin dhe janë palë, gjyqtarët e posaçëm trajtohen ndryshe dhe në kundërshtim me natyrën e juridiksionit special. Kjo situatë shkel drejtpërdrejt nenin 42/2 të Kushtetutës, i cili garanton gjykim nga një gjykatë e pavarur, e paanshme dhe e caktuar me ligj.

Shqipëria është futur në një fazë të re: rreziku nuk vjen më vetëm nga pandëshkueshmëria, por edhe nga tejkalimi i kufijve kushtetues në emër të luftës kundër saj. Drejtësia nuk matet me numrin e të arrestuarve, por me respektimin e rregullave dhe garancive kushtetuese. Neni 14 prodhon pasoja të rënda për rendin kushtetues. Ai vendos Gjykatën e Posaçme nën varësinë faktike të SPAK-ut; cënon paanshmërinë e proceseve aktuale dhe të ardhshme; ekspozon çdo gjykim ndaj pretendimeve për mungesë objektiviteti; shkakton pavlefshmëri absolute të proceseve, pasi për këtë kategori nuk ekziston gjykata e caktuar me ligj.

Çdo gjykim që zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme është i mbuluar nga hija e nenit 14, një nen që i jep palës akuzuese pushtetin të hetojë gjyqtarët që i gjykojnë. Në çdo standard evropian, kjo është një shkelje e qartë dhe e papranueshme e shtetit të së drejtës. Shfuqizimi i këtij neni nuk është zgjedhje politike; është prova nëse Republika e Shqipërisë i bindet ende Kushtetutës së saj.

Çdo ditë, me nenin 14 në fuqi, është një ditë me më pak drejtësi dhe një ditë më shumë dobësim i autoritetit kushtetues të gjyqtarit të posaçëm.Top of Form
Bottom of Form.