Kreu i PD, Sali Berisha, reagoi lidhur me atë që u cilësua si sulm i tij ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore.

Berisha tha se nuk ka fyer asnjë ambasador, por kërkoi nga Gonzato që të tregojë se cila direktivë e BE mbështet këtë ligj.

“Nuk Kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia. Haptas, në çdo rast kam kërkuar nga ky parlament dhe jashtë këtij parlamenti, nga ambasadori Gonzato, të na tregojë cila direktivë e BE ka mbështetur këtë ligj. Zonja Marta Kos tha se ai ka mbajtur qëndrimin e BE, dhe prandaj po e pyes: cila direktivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore? Ekspertët që unë njoh më kanë konfirmuar se asnjë nga direktivat e BE nuk ka këtë terminologji; të gjitha flasin për burrin dhe gruan. Çdo lloj interpretimi tjetër është i atij që e bën. Jam kundër çdo forme diskriminimi dhe pabarazie, por jam gjithashtu kundër përpjekjeve për të rifomatuar antropologjinë njerëzore,” tha Berisha.

Kujtojmë se të enjten, Berisha shënjestroi diplomatin duke thënë:

“Zotëri, ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve. Përpjekjet tuaja për t’i imponuar standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, përveç asaj binare, nuk na takojnë. Ti vetë je binar. Nuk merremi me jetën tuaj personale. Ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e veta siç ka shpjeguar. Cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore?”