Jordan Daci, juristi dhe konstitucionalisti i njohur, ka qenë i ftuar këtë të hënë në edicionin informativ me Mirela Milorin në Euronews Albania, ku ka folur për vendimin mbi ankimin e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese.
Daci tha se priste vendim unanim lidhur me këtë çështje nga gjyqtarët dhe, nga ana tjetër, sipas tij, presidenti ishte ai që shkaktoi krizën kushtetuese duke u pozicionuar në këtë çështje.

“Këto vendime nuk mund të jenë të riparueshme më. Ato kanë sjellë pasoja të parikthyeshme. Në një pikë, për mendimin tim, ka bërë gabim Kushtetuesja kur e ka quajtur dekretin akt administrativ. Kjo është një qasje mbarëbotërore që ajo nuk është administrative. Nëse akti sjell pasoja kushtetuese, atëherë rregullon raportin kushtetues dhe automatikisht ajo është një akt kushtetues, kaq e thjeshtë është. Në këtë rast ajo ka thënë që është raport kushtetues. Të jem i sinqertë, e prisja unanim këtë vendim. Çështja është e tillë, është shumë e qartë. Presidenca u pozicionua më keq. Qeveria është në domain-in e vet, mund të bëjë edhe politike. Por Presidenti, që është mbi palët, qëndrimi i tij shkaktoi krizë kushtetuese,” – tha Daci.