KOSOVA- Protesta e transportuesve publikë dhe privatë në Komunën e Prishtinës, për shkak të mospagesës, këtë të martë mori një formë tjetër.

Ndryshe nga e hëna, kur pas pezullimit të të gjitha linjave punëtorët protestuan para objektit të Komunës dhe ndërtesës së Qeverisë, sot autobusët e “Trafikut Urban” dhe ata të linjave private kanë lëvizur bosh në rrugët e kryeqytetit duke bllokuar qarkullimin në qendër të qytetit.

Në protestën e një dite më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, iu bashkua transportuesve, duke akuzuar Qeverinë për bllokim të buxhetit dhe “sabotazh” ndaj Komunës.

Edhe pse më vonë u mbajt një takim, mes operatorëve dhe ministrit në detyrë të Financave Hekuran Murati, asnjë marrëveshje nuk u arrit mes palëve. Sipas Sindikatës së “Trafikut Urban” prej dy muajsh muaj punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë marrë rrogën, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.

Shkaku i vonesave ka ardhur si pasojë e mos-përfshirjen në buxhetin e 2025-ës të fondeve për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin-Potokun. Në mbledhjen e fundit të parlamentit në Kosovë përpara shpërndarjes, në rend dite ishte edhe votimi i buxhetit për këto komuna, përpos buxhetit për vitin e ardhshëm, atë të 2026-tës.

Në seancë nuk pati fare votim, për shkak të bojkotit nga partitë opozitare. Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës vijojnë të mbeten pa transport publik…