Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot një dëgjesë me banorët e Tiranës në Njësinë 5, ku foli për angazhimin e qeverisë për të qenë më pranë komuniteteve dhe për zbatimin e premtimeve të dhëna para zgjedhjeve.
Rama theksoi se “83 mandatet” e Partisë Socialiste përbëjnë një detyrim për t’u lidhur më ngushtë me qytetarët dhe për të adresuar shqetësimet e tyre konkrete.
Ai bëri të ditur se në projektbuxhetin e vitit 2026 janë përfshirë disa nga çështjet më të rëndësishme të evidentuara gjatë fushatës, duke nënvizuar se “pjesa e luanit” e buxhetit i është dedikuar pensionistëve. Kreu i qeverisë garantoi gjithashtu se bonusi i fundvitit për pensionistët do të jepet para festave, ashtu siç është premtuar.
“Vendosëm që të jemi jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. 83 mandatet kanë krijuar një ndjenjë të fortë detyrimi për të qenë sa më afër komuniteteve, në mënyrë që shqetësimet, hallet dhe problemet të adresohen. Më vej mirë të them që në projektin e 2026, kam parasysh këtu buxhetin e shtetit, ne kemi adresuar disa nga ato që janë probleme kyçe që ne kemi marrë në konsideratë që para zgjedhjeve.
Shumëkush i ka konsideruar si premtime për të marrë votën, disa fjalë boshe, por qysh në projektin që ne kemi depozituar, mund të duket konkretisht që shumë nga ato që ne kemi marrë përsipër janë atje me faturën për t’u mbajtur. Pjesa e luanit në buxhetin e shtetit shqiptar për të katërt vitet e ardhshme, sepse është bërë një punë e madhe dhe është pjesa që u takon pensionistëve. Pensionistët e kanë dëgjuar shumë herë nga unë se sa e vështirë është që të rriten pensionet. Në fund të ditës kjo është çështje mundësie, se sa dëshire.
Sikur të marrësh të gjitha pagat e deputetëve komplet dhe t’i çosh në shtëpi është si një pikë në oqean, krahasuar me shumë për rritjen e pensioneve. Kam dëgjuar një muhabet tjetër, që ne nuk do të japim bonuesin e fund vitit. Në radhë të parë bonusin do e marrin edhe këtë siç është premtuar, dhe do e marrin para Vitit të Ri. Bonusi është i angazhuar dhe kohën e përcaktuar do të fillojë shpërndarja para festave”, tha kryeministri Rama.




















