Avokati Kujtim Cakrani ka zbuluar se ish-presidenti Ilir Meta posedon prova shkresore dhe materiale audio për rastin e “21 Janarit” dhe për këtë arsye ka kërkuar që të thirret nga prokurorët në cilësinë e dëshmitarit për këtë çështje.
Cakrani tha se Meta është arsyeja kryesore për të cilën ndodhi ajo që avokati e cilëson si kryengritja e 21 Janarit. Sipas tij Meta i ka kërkuar që të paraqesë kërkesë pranë prokurorit Alfred Shehu, që drejtësia ta pyesë në lidhje me këtë dosje.
“21 Janari përse u bë, dini gjë ju? U bë për 700 mijë euro që e akuzonte Dritan Prifti me një video që doli e montuar, e sajuar e me radhë. Ilir Meta, do publiku nuk do, është njeriu që në 34 vite pluralizëm ka pasur gjithë postet më të larta të kësaj Republike. Ka qenë njeriu kyç në momente historike dhe kthesat e momentet historike. Ka dhënë kontributin e tij patriotik, e kështu me radhë. Zoti Meta ka provat e tij sepse është personi për të cilin u ndërtua gjithë ajo kryengritje, se ajo nuk është protestë, është kryengritje për të rrëzuar rendin kushtetues. Dhe nëse ajo nuk hetohet si kryengritje për të rrëzuar me dhunë rendin kushtetues ajo nuk ka për t’u zbardhur. Dhe zoti Meta këtë do dëshmojë. Do dëshmojë personat me emër, mbiemër, dje në opozitë e sot në pushtet. Dhe nëse këta duan ta zbardhin po nuk thirrën zotin Meta dhe gjithë ata personazhet e kohës, nuk kanë për të zbardhur këtë. Nëse duan ta mbajnë si telenovelë dhe ta kthejnë sa herë që Rama është në hallet e tij politike, ai është problem i SPAK-ut. Zoti Meta dje më ka kontaktuar, shkova te paraburgimi dhe më tha kam prova të mjaftueshme. Nëse prokurorët duan ta zbardhin, bujrum bëje një kërkesë. Unë sot i bëra kërkesë, ia kam nisur prokurorit Alfred Shehu, po të dojë ta zbardhi atje e ka në Paraburgim tre minuta larg. Janë prova shkresore dhe me audio që zoti Meta do t’ua vërë në dispozicion nëse ata kanë dëshirën për ta pyetur dhe për ta zbardhur”, zbuloi Cakrani në “Off the Record” në A2 CNN.
I pyetur se çfarë do të ndryshojë nëse SPAK merr në dorëzim provat e reja që posedon Ilir Meta për “21 Janarin”, Cakrani tha: “Gjenden autorët”.
“Gjenden autorët. Padyshim që autorët e vrasjes. Pse për çfarë do dëshmojë ai? Ai do dëshmojë me prova me fakt, jo vetëm që një javë para, deri në momentin që janë vrarë pra. Para se të vriteshin katër qytetarë aty, ne kemi tre ditë para njerëz të opozitës që do thonë do ketë kufoma aty, do ketë gjak”, tha Cakrani.




















