Nga Lutfi Dervishi

Në librin e saj, “Brenga e Ballkanit” Edith Durham bën një diagnozë klinike, e cila mbetet aktuale edhe sot, pas më shumë se një shekulli: ne duam me zjarr, urrejmë me zjarr, dhe zona gri na duket e huaj.
Këtë mungesë të “zonës gri” e provoi së fundmi në mënyrën më të dhimbshme Granit Xhaka. Ai shtangu në “shtëpinë e tij”, teksa u përball me fishkëllima nga tifozët që e kishin duartrokitur gjatë gjithë karrierës së tij.

Shkaku? Një keqinterpretimi klasik dhe malinj.
Lajmi që mori dhenë ishte se: “Xhaka tha se ata që nuk bëjnë për Zvicrën, luajnë për Kosovën.” Kjo frazë e rëndë u përdor për të ndezur mllefin.

Por e vërteta e fjalëve të Xhakës në intervistën për gazetën Blick është krejt tjetër.

Ai foli për konkurrencën e madhe në ekipin zviceran, për cilësinë e lojtarëve dhe për durimin që kërkohet. Më e rëndësishmja, ai e quajti Kosovën një skuadër që po luan në nivel të lartë, duke nënkuptuar se zgjedhja e lojtarëve si Avdijaj dhe Hajdari ishte një hap i rëndësishëm, profesionalisht.

Gazetarët zviceranë u shtangën kur mësuan se fishkëllimat në Fadil Vokrri ishin pasojë e një fakenews. Një fjali në Bazel u “përkthye” keq në Prishtinë.

Futbolli është emocion, kjo është e vërtetë. Por po aq e vërtetë është se ushqimi më i shijshëm për portalet dhe rrjetet sociale është loja me këto “emocione”, thjesht sepse gjenerojnë klikime dhe i japin mundësi edhe atyre që kanë byk në kokë të japin mend.

Edith Durham kishte të drejtë: ne nuk e njohim “zonën gri”. Por realiteti është se kjo zonë ekziston dhe është pikërisht vendi ku duhet të qëndrojmë edhe kur shpërthejmë si “flakë kashte”.

As Granit Xhaka nuk është tradhtar, as tifozët që fishkëllyen nuk janë armiq. Janë thjesht viktima të manipulimit dhe keqinformimit.

Çfarë do të ndodhë nëse as Shqipëria dhe as Kosova nuk arrijnë dot në Kupën e Botës?

“Patriotët” që e fishkëlluan Xhakën do të jenë të parët që do të krenohen me të. Do ta duartrokasin fort dhe do të krenohen më shumë seç u krenuan në përballjen epike Serbi-Zvicër në Botërorin e luajtur në Rusi!

Përpara se t’i kthejmë tribunat e stadiumit në tribunale gjykimi, ndoshta duhet të ndalim pak dhe të pyesim: Kush është futbollisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave?

Përgjigja ndoshta i bën të gjithë palët të bien në një mendje: GRANIT XHAKA.