Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki ku fitoi Partia Socialiste dhe PD nuk kishte kandidatë, por mbështeti disa kandidatë të pavarur.

I pyetur nga Ylli Rakipi, se përse PD u kthye si një shoqatë që nuk merr pjesë në zgjedhje, Alimehmeti tha se duhet një riorganizim i plotë i partisë, ndërsa shtoi se edhe këto zgjedhje ishin rast i artë, por i humbur, pasi pjesëmarrja tregoi se populli ka refuzuar PS-në.

Ilir Alimehmeti: Unë e shoh rezultatin, ajo pjesëmarrje 18.5%, do të thotë dy gjëra, në rradhë të parë, po arrin suksesin ajo pjesë që do ta bëjë shoqërinë jo politike. PS, i merr zgjedhjet, thonë mos dilni të votoni. Nga krahu tjetër, ka edhe një opozitë që këtë situatë, sidomos atë të Vlorës, duhet ta shfrytëzonte maksimalisht. Në kushtet kur PS, nuk grumbullon dot as 10% të votave, pasi kandidatja ka marrë poshtë 10%, ne kishim mundësi të artë. Unë nuk njoh specifikat e Vlorës, por steka ishte e ulët për tu fituar, për më pak se 10% të votave po flasim. Nëse nuk kuptojmë një situatë të tillë, qytetarët janë lodhur me pjesën politike, kemi një PS, që reprimon dhe një PD që nuk frymëzon. Është e vështirë të themi se ka patur blerje në këtë rast, apo vjedhje kur mungon 88% e popullatës në votime…
Kjo është e vështirë të diskutohet. Unë e mendoj, që pa një riorganizim kuptimplotë të PD kokë e këmbë, nuk do të diskutojmë më frymëzojmë apo jo, pasi paskemi 88% të popullatës që nuk ka reaguar për asnjë nga kandidatët.

Ylli Rakipi: Popullatën duhet ta thërrasë dikush që të shkojë në zgjedhje. Ju zoti Alimehmeti, a na shpjegoni fare thjeshtë përse ndejtët mbrapa disa të pavaruve dhe nuk shkuat në zgjedhje? Pse u fshehët ju mbrapa disa të pavarurve, dhe nuk shkuat në zgjedhje?

Ilir Alimehmeti: Unë nuk jam as kryesia e PD dhe as grup parlamentar dhe nuk flas dot në emër të PD, por flas në emrin tim. Sa më përket mua, kam dalë haptaz dhe kam folur për Tiranën, nuk kam fuqi të flasë për qytete të tjera, kam thënë është nevojitur një figurë e lartë drejtuese e PD të kandidojë për Tiranën. Pastaj janë marrë vendime të kryesisë. E kam dhënë mendimin tim shumë qartë. Mendoj se një opozitë jeton dhe merr frymë, punon për të hedhur poshtë një sistem të kalbur, që në momentin e parë që ka zgjedhje, të hyjë në garë për të fituar me figurat e veta, ekziston për të hyrë në zgjedhje me kandidatët e vetë dhe për të fituar.

Ylli Rakipi: Në Tiranë, edhe Tabaku edhe ju, nuk pranonit të hynit në garë.

Ilir Alimehmeti: Mendoj se e kemi ezauruar këto. Tiranën ua garantoj se do të dilte një rezultat mbresëlënës, prandaj u hoqën zgjedhjet.

Ylli Rakipi: Për shkak të problematikës me Veliajn, nuk u bënë zgjedhjet, por ju dhe Tabaku nuk shkonit. Vajti Binaj si i pavarur.

Ilir Alimehmeti: Rezultati i Tiranës, nuk është njësoj si qytetet e tjera. Janë zgjedhje vendore, karakteri lokal ka shumë rëndësi. Për Tiranën mund t’ju flas nga mëngjesi në darkë. Tirana do të dilte spektakël dhe prandaj ranë zgjedhjet. Nuk jam dakord që PD, paska vetëm dy figura dhe nuk ka dhjetëra të tjerë.

Ylli Rakipi: Ç’është mesazhi që merr elektorati duke u tërhqur nga zgjedhjet?

Ilir Alimehmeti: Keni të drejtë këtu, elektoratin e la pa zgjedhje, nga njëri krah ka një klikë të korruptuar që e pamë se nuk e mbështet, nga krahu tjetër nuk pati një situatë të bërë gati, pasi aty pati figura me integritet që morën pjesë si të pavarur, por këta nuk mund ta bëjnë dot punën e vet në një javë apo dhjetë ditë. Duhet të jetë PD si lider i opozitës që të bëjë këtu punë. Ka patur mungesë të madhe organizimi nga partitë mbështetëse përfshirë PD-në. Për 2029 ne duhet të kalojmë përmes 2027. Unë konceptoj garë që të shkoj për fitore, jo këto diskutime për humbje. Ne duhet të kalojmë në një riorganizim të plotë të PD. Jemi të qartë se çfarë duan njerëzit.

Ylli Rakipi: Me thënë të drejtën pashë një opozitë që shfaqi tiparet e një OJQ-je, sic janë këtu OJQ-të që marrin fonde, nuk e çajnë kokën, por kështu nuk kemi opozitë.