UEFA ka zyrtarizuar orarin e ndeshjeve gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, të cilat luhen më 26 mars 2026 në orën 20:45.
Kombëtarja e Shqipërisë dhe përfaqësuesja e Kosovës do të luajnë në të njëjtën orë.
‘Dardanët’ do të përballen me Sllovakinë në udhëtim, ndërsa Shqipëria do të ndeshet me Poloninë në Varshavë, teksa të dyja ndeshjet do të fillojnë në orën 20:45.
Nëse fiton, Shqipëria laun sërish në udhëtim me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi.
Një lajm pozitiv për Kosovën është fakti se do të mund ta njohë kundërshtarin e mundshëm në finalen e play-off-it para se të nisë ndeshja me Sllovakinë, pasi takimi Turqi – Rumani do të zhvillohet më herët, me fillim nga ora 18:00.
Kjo sfidë është e vetmja që nis më herët dhe nëse të dyja kombëtaret kalojnë në finale, ato do të luajnë sërish në të njëjtën orë, sipas propozimit të UEFA-s.
Në rast se Kosova kualifikohet në finale, ajo do të presë në Prishtinë fituesin e çiftit Turqi – Rumani, ndërsa Shqipëria do të jetë përsëri mike në ndeshjen finale.




















