Donald King, 26 vjeç, u bë simbol i sfidave që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale në vendet e punës. I diplomuar në Universitetin e Teksasit në Austin, King nisi karrierën e tij në kompaninë e madhe PwC në Nju Jork si bashkëpunëtor në konsulencën teknologjike, duke punuar me klientë të mëdhenj si Oracle.
Në momentin që PwC shpalli një investim prej 1 miliard dollarësh në AI, King iu bashkua ekipit të teknologjisë dhe punoi intensivisht, duke kaluar 60-80 orë në javë për të zhvilluar agjentë inteligjentë që mund të automatizonin detyra të tëra pune. Ai madje fitoi vendin e parë në një “hackathon” të OpenAI brenda kompanisë me projektin e tij të agjentëve AI.
Por, vetëm dy orë pas prezantimit, King u njoftua se ishte pushuar nga puna. Momenti u regjistrua dhe u bë viral në TikTok, duke arritur mbi 2 milion shikime. Ai shprehet se e pati të vështirë të besonte se do të humbte vendin e punës pikërisht për teknologjinë që vetë kishte krijuar.
Megjithatë, King nuk u dorëzua. Ai themeloi agjencinë e tij të marketingut, AMDK, e cila tashmë ka klientë nga kompani të vogla deri tek biznese miliardëshe, dhe po ndihmon bizneset të përdorin AI për operacionet e tyre. Ai thotë se përvojat e tij e kanë bërë më të kujdesshëm, por edhe më të lumtur, duke ndjekur qëllimet e veta, jo ato të kompanive të mëdha.
Ky rast nxjerr në pah sfidat dhe rreziqet që sjell automatizimi me AI, sidomos për punët e nivelit fillestar, dhe tregon sesi një humbje e papritur mund të kthehet në një mundësi të re.
Burimi: Fortune.com




















