Presidenti rus Vladimir Putin ka ripërsëritur kushtet e tij të pandryshueshme për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke deklaruar se operacionet ushtarake ruse do të ndalen vetëm nëse Kievi tërheq forcat e veta nga Donbasi dhe njeh kontrollin rus mbi territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë dhe zonat lindore të Ukrainës. Komentet u bënë gjatë një vizite në Kirgistan, teksa Uashingtoni dhe Kievi po punojnë mbi një version të ri të një plani të mundshëm paqeje.
Putin theksoi se kërkesat e Moskës mbeten të pandryshueshme: tërheqja e plotë e ushtrisë ukrainase nga rajonet Luhansk dhe Donetsk, të cilat ai i konsideron si pjesë të Donbasit. “Nëse ata nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcën e armëve”, deklaroi ai, duke pretenduar se Rusia “ka iniciativën” në terren.
Ai përsëriti gjithashtu se një marrëveshje paqeje është e pamundur pa njohjen ligjore të kontrollit rus mbi territoret e aneksuara apo të pushtuara që nga viti 2014, përfshirë Krimenë. Ukraina i ka hedhur poshtë kategorikisht këto kërkesa, duke i cilësuar si “shpërblim për agresionin”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia “përçmon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”.
Presidenti rus konfirmoi se Rusia ka marrë një plan të ri paqeje nga SHBA, të cilin e përshkroi si “bazë të mundshme” për negociata, megjithëse theksoi se disa pika kërkojnë “formulim diplomatik më të qartë”. Plani, hartuar fillimisht në tetor nga zyrtarë amerikanë dhe rusë, është rishikuar së fundmi në Gjenevë gjatë bisedimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve evropianë. Putin njoftoi se një delegacion amerikan i udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff pritet të mbërrijë në Moskë në fillim të javës së ardhshme. Ai konfirmoi gjithashtu se delegacioni mund të shoqërohet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Trump ka deklaruar se midis palëve “kanë mbetur pak pika mosmarrëveshjeje” dhe ka lënë të kuptohet se një takim i mundshëm me Zelensky-n varet nga përparimi drejt një marrëveshjeje paqeje.
Sakaq, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se delegacionet e Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë bisedimet për të përkthyer marrëveshjet e arritura në Gjenevë në një format që garanton “paqe të qëndrueshme dhe siguri afatgjatë”. Sipas tij, takimet e fundit kanë krijuar bazë për hapa konkretë në procesin e negociatave. Shefi i zyrës presidenciale, Andriy Yermak, njoftoi se Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, do të vizitojë Kievin brenda kësaj jave. Vizita shihet si një sinjal mbështetjeje për Ukrainën në një moment kur diskutimet e reja për paqen po marrin formë dhe kur Uashingtoni është duke luajtur rol kritik në draftimin e një plani të ri.
Nga ana ruse, presidenti Vladimir Putin intensifikoi retorikën politike duke deklaruar se udhëheqja aktuale e Ukrainës është “e paligjshme”, duke iu referuar pezullimit të zgjedhjeve që nga viti 2022 për shkak të gjendjes ushtarake. Ai tha se “nuk ka kuptim” të nënshkruhet ndonjë dokument me autoritetet aktuale në Kiev. Ukraina është nën ligjin e luftës që prej nisjes së pushtimit rus, dhe parlamenti i vendit ka konfirmuar unanimisht legjitimitetin e Zelenskyt, pavarësisht përfundimit formal të mandatit të tij në pranverë.
Përplasjet me BE-në: Reagimet e von der Leyen
Putin hodhi poshtë paralajmërimet e udhëheqësve evropianë se Rusia mund të përbëjë rrezik për shtetet e tjera të kontinentit në të ardhmen, duke i quajtur pretendime të tilla “qesharake”. Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, akuzoi Moskën se po e trajton Evropën si një “zonë ndikimi” që mund të “shpërbëhet” sipas interesave të saj. Ajo paralajmëroi se sjellja ruse mbetet një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin evropian.




















