“Një reformë për reformën në drejtësi, koha është tani”, thotë juristi Plarent Ndreca, teksa bën një bilanc të gati dhjetë viteve të reformës në drejtësi në Shqipëri. Ish-deputeti socialist flet për një rezultat jo aq pozitiv të saj, duke theksuar se produkti në tërësi është më shumë “drejtësi statistikore sesa drejtësi e drejtë”.
Ndreca nënvizon se ka procese ku janë shkelur rëndë të drejtat dhe shpesh duke u shkelur Kushtetuta. Ndreca beson se ka ardhur momenti për një studim të plotë të të gjitha proceseve të ndodhura deri tani në organet e drejtësisë, për të parë se ku duhet ndërhyrë. Duke iu referuar rasteve konkrete, si ai i arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, ai shprehet se arrestimi i Veliajt u përdor si instrument për të fituar një “lojë” ende pa nisur ajo. Sipas tij, prokuroria e ka mbajtur prej dhjetë muajsh në burg Veliajn, ndërkohë që për çdo ditë të qëndrimit të tij në qeli duhet të mbajë barrën e provimit të arsyes pse ai vijon të mbahet i izoluar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas Ndrecës, është një përpjekje për t’i rikthyer dinjitetin drejtësisë. Ai flet gjithashtu për çështjen Balluku, për 21 Janarin dhe të tjera që SPAK ka në proces, duke theksuar se, pavarësisht kritikave, rezultatet e SPAK dëshmojnë për ndarjen përfundimtare të ndikimit të politikës nga drejtësia dhe ndryshimin thelbësor të kulturës së pandëshkueshmërisë./TEMA




















