Kanë vijuar replikat dhe debatet mbi buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2026 në seancën maratonë të kësaj të mërkure në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, kanë replikuar lidhur me të ardhurat për frymë dhe menaxhimin e mbetjeve urbane, në raport me projektbuxhetin e ri.

Malaj: Tani besoj se e ke listën përpara, se ku kanë vajtur 1 miliard lekë që lidhen me menaxhimin e mbetjeve. Janë 1 miliard lekë që shpërndahen në mbi 40 bashki. Si arrini ju t’i lidhni inceneratorët me paratë që shkojnë për menaxhimin e mbetjeve urbane, vetëm ti mund ta bësh këtë gjë. Çfarë lidhje ka Malësia e Madhe me inceneratorin e Tiranës, çfarë lidhje ka Dropulli me inceneratorin e Tiranës, vetëm ju e dini. Sa i përket të ardhurave të shqiptarëve, në vitin 2013, të ardhurat për frymë të shqiptarëve ishin të paktën 30% nën nivelin mesatar të të ardhurave për frymë në Ballkanin Perëndimor. Sot janë mbi 20% nën nivelin mesatar të Ballkanit Perëndimor. Janë shifra që i ka dhënë Banka Botërore.

Tabaku: Së pari, më mirë drejtoju atyre që të kanë futur në punë, sepse për ju unë jam zonja Tabaku. Kur të mësosh të lexosh buxhetin e shtetit se ndoshta nuk e ke kuptuar do ta shohësh se ku janë edhe inceneratorët, ku është edhe kostoja për menaxhimin e mbetjeve. Je i ri aty, je i 12-ti në atë detyrë dhe nuk e ke të gjatë. Do ikësh edhe ti.
Duhet të kuptosh se sot çështja e inceneratorëve, që është duke u hetuar dhe që unë shpresoj shumë të çojë përpara drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë përfshirë dhe Kryeministrin po i kushton Tiranës 139 milionë euro. Ashtu thoshte edhe Ahmetaj, ‘zero’, edhe e sheh ku është. Së dyti, 20% e çmimeve në BE kanë qenë çmime në vitin 2012; sot janë 92%. 40% e shpenzimeve janë për ushqime. 55% e familjeve shqiptare nuk e mbyllin dot muajin, dhe këto janë të dhënat tuaja. Janë të dhëna nga INSTAT dhe Eurostat.
Të dilni e të mashtroni këtu, kjo është korrupsion, jo paaftësi.