Nga Roland Lami
Më 9 nëntor 2025, pesë bashki, Vlora, Berati, Cërriku, Mati dhe Tepelena mbajtën zgjedhje të pjesshme lokale. Në dokumentet zyrtare, procesi u zhvillua normalisht. Në realitet, ai ndodhi nën efektet e një gjumë të thellë politik që përfshiu opozitën, partitë e reja, madje edhe vetë mazhorancën.
Teoria racionale na ndihmon ta lexojmë këtë apati: njerëzit votojnë kur ndiejnë se kanë diçka për të fituar ose humbur por kur e dinë paraprakisht rezultatin, votimi humbet kuptimin. Dhe kështu ndodhi: opozita nuk shkoi, sepse e dinte që nuk do të fitonte, votuesit e saj nuk shkuan, sepse e dinin që vota e tyre nuk ndryshonte asgjë. Ndërkohë, partitë “e reja” opozitare të cilat duhej të ishin shpresa për energji dhe uri për ekspansion elektoral, rezultuan kopje të zbehta të së vjetrës fuke zgjedhur të flenë edhe ata bashkë me votuesit e tyre.
E njëjta gjë ndodhi edhe në kampin tjetër politik. Të sigurt në fitoren e tyre, shumë prej socialistëve nuk votuan fare. Sipas terorisë rnë fjalë kur rezultati është i paracaktuar, edhe fituesi e sheh kutinë si një formalitet. Fitorja e sigurt është mpirje; ajo ushqen vetëkënaqësinë e rrezikshme që i ngjan arrogancës së pushtetit të gjatë. Dhe kështu, edhe kur PS fiton, fiton me më pak qytetarë. Legjitimiteti zvogëlohet, ndërsa indiferenca rritet.
Nga ana tjetër, autorë të teorisë së përfaqësimit do të thonin se këtu kemi një demokraci me përfaqësim të pjesshëm: përfaqësues të zgjedhur nga pak votues, që qeverisin në emër të shumëkujt që s’ka folur fare. Një sistem që funksionon teknikisht, por që shpirtërisht është bosh. Një pasivitet që nuk lind nga padituria, por nga bindja se kutia e votimit nuk është më vendi ku bëhet ndryshimi, por ku vuloset rutina dhe ndoshta kjo është drama jonë e përbashkët në ditët në vazhdim.
Në fund të ditës, zgjedhjet e pjesshme nuk ishin as për të zgjedhur kryetarë bashkish, as për të matur forca politike. Ishin pasqyra e një vendi që e di rezultatin para se të votojë. Një vend ku demokracia nuk vdes nga dhuna, por nga përgjumja. Po futemi ngadualisht në fazën kur demokracitë nuk rrëzohen me grusht, por me mospjesëmarrje.
Çdo votë e munguar është një tullë më pak në themelet e Republikës, dhe çdo heshtje është një dorë e ngritur për ta lënë vendin në duart e pak njerëzve që s’flenë kurrë, sepse pushtetin e kanë ëndërr të vetme.
Nëse ky ritëm vazhdon, 2027 dhe 2029 nuk do të jenë vite zgjedhjesh, por vite sigurie të paracaktuar. Rreziku nuk është që PS të humbasë, por që të fitojë pa vota, jo që opozita të zhduket, por që të gëzohet me vëndin e dytë. Dhe kur pushteti fle mbi vetëkënaqësinë, ndërsa opozita rri në gjumë, demokracia nuk bie, thjesht zgjerohet terri rreth saj.




















