Kreu i PD-së, Sali Berisha ka komentuar takimin e ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji, i cili mblodhi më të votuarit e primareve dhe 11 Majit në një tryezë që zgjati rreth tre orë.

i pyetur a është i shqetësuar, Berisha u përgjigj se: “Jo njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament”.

Kryedemokrati u shpreh se PD është një parti e hapur çdo lloj mendimi dhe ideje, ndërsa theksoi se procesi i analizës së brendshme ka nisur.

“Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti”, tha Berisha.

Ai theksoi se Salianji është anëtar i Kryesisë së PD, duke shtuar se ka vendin ku t’i shprehë mendimet.

Sali Berisha: Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them.

Procesi i analizës së brendshme ka nisur, janë bërë gjithë udhëzimet. Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubisë. Diversitet mendimi në këtë parti ka pasur dhe do ketë.