Shqipëria mikpret një tjetër ngjarje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, Samitin për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”, që do të bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian, si dhe nga organizatat rajonale, – në një diskutim për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, i cili promovon një mjedis të favorshëm për inovacionin, sipërmarrjen dhe progresin teknologjik dhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri, si një gur themeli për rritjen afatgjatë dhe konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama do të mikpresë liderët e rajonit; të Kosovës, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe Komisioneren për Zgjerimin e BE-së Marta Kos, në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, ndërsa Samiti do të zhvillojë punimet i konceptuar në dy panele diskutimesh: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”, ku do të lançohet Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor e do të flitet mbi pozicionimin e rajonit në ekosistemin AI të BE, korsitë e gjelbra, bashkëpunimin në fushën e turizmit, mbi progresin dhe hapat e ardhshëm drejt tregut të përbashkët rajonal etj.
Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos, do të adresohen me një fjalë në nisje të punimeve të Samitit, ndërsa pas zhvillimit të tij, ata do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.




















