Gjithnjë e më shumë të rinj po përballen me sëmundje të zemrës, një fenomen që sipas kardiologëve po bëhet shqetësues.
Mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Shkodër, Kevin Bektasha, thekson se numri i rasteve të shtuara ka ardhur në rritje vitet e fundit, ndërsa ndër shkaqet kryesore renditen duhanpirja, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe faktorët gjenetikë.
“Në vitet e fundit kemi një shtim të rasteve të pacientëve të prekur në moshë të re me sëmundje vaskulare, kryesisht ishemike të zemrës, veçanërisht infarkt akut të miokardit. Duhanpirja është shkaku kryesor, sidomos tek moshat nën 40 vjeç. Shkak tjetër është obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, yndyrnat e larta, ndërsa trashëgimia mbetet një faktor i rëndësishëm,” shpjegon mjeku.
Mjeku Kevin Bektasha i bën thirrje të rinjve të jenë më të kujdesshëm me stilin e jetesës, të kryejnë rregullisht analizat e lipidogramës për të kontrolluar nivelin e yndyrnave në gjak dhe mbi të gjitha të ndërpresin duhanpirjen, si një nga faktorët më të rrezikshëm për shëndetin e zemrës.
“Këshillat që mund të japim për moshat e reja janë: ndërprerja e duhanpirjes, kryerja rregullisht e analizave të lipidogramës dhe glicemisë së agjërimit, çdo tre ose pesë vjet sipas faktorëve të riskut. Simptomat që nuk duhet neglizhuar, sidomos në moshat e reja, janë shtrëngime në gjoks që zgjasin 3 deri në 5 minuta,” thotë mjeku.
Sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në vendin tonë. Edhe pse moshat e vjetra janë më të ekspozuara, rreziku nuk përjashtohet as tek të rinjtë.




















