Planet për një shtyrje të mundshme të javës së 30-të të Serie A, javë që përkon me përgatitjet e ekipeve kombëtare për play-off-et e Botërorit në mars 2026, janë rrëzuar përfundimisht. Nga ideja, e cila do t’i jepte më shumë kohë trajnerit të Italisë, Rino Gattuso, për të punuar me lojtarët e tij, do të kishte përfituar edhe kombëtarja shqiptare.
Trajneri Sylvinho mund të kishte patur në dispozicion më herët një grup kuqezinjsh përpara ndeshjes vendimtare ndaj Polonisë, pasi 6 futbollistë shqiptarë që luajnë në elitën e futbollit italian, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Elseid Hysaj, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha, do të liroheshin më herët nga klubet e Serisë A.
Por presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina, ka hedhur poshtë çdo mundësi për modifikim të kalendarit. Sipas tij, programi i ngjeshur i ekipeve nuk lejon asnjë lëvizje të javës së 30-të, e cila do të ishte thuajse e pamundur të zëvendësohej.
Gravina theksoi se beson në kualifikimin e Italisë në Botëror dhe se mungesa e “Të Kaltërve” në turne do të ishte humbje jo vetëm për futbollin italian, por edhe për vetë organizatorët.
Ndërkohë, Shqipëria përgatitet për ndeshjen e saj të madhe, gjysmëfinalen e play-off-it në transfertë ndaj Polonisë (26 mars 2026). Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi për një vend në Botëror.




















