Sulmet ajrore ndaj Venezuelës janë të pashmangshme, edhe pse dje Donald Trump i mohoi. “Është çështje ditësh, ndoshta edhe orësh,” sipas mediave amerikane. “Administrata Trump ka marrë vendimin për të goditur instalimet ushtarake brenda Venezuelës dhe sulmet mund të ndodhin në çdo moment,” shkruan Miami Herald, duke cituar burime anonime “të informuara mbi zhvillimet”. Fushata kundër kartelit të Soles, por edhe kundër regjimit të militarizuar të Nicolás Maduros, do të hynte kështu në fazën II, ashtu siç kishte paralajmëruar vetë presidenti amerikan.
Në atë që tashmë duket si një përpjekje e dëshpëruar për të gjetur mbështetje ndërkombëtare nga aleatë gjithnjë e më të ftohtë, dje lideri i Venezuelës Nicolás Maduro i ka dërguar një letër Vladimir Putinit duke i kërkuar ndihmë. Sipas burimeve venezuelane të kontaktuara nga Washington Post, Karakasi i është drejtuar gjithashtu Kinës dhe Iranit, duke kërkuar pajisje dhe asistencë ushtarake për të forcuar mbrojtjen kombëtare.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve gjatë fluturimit me Air Force One, dje Trump tha se për momentin nuk po shqyrton sulme ndaj Venezuelës, megjithëse javën e kaluar kishte deklaruar se ishte gati të urdhëronte sulme tokësore. Analistët ushtarakë konfirmojnë se një dislokim detar kaq i madh në Karaibe nuk mund të kufizohet vetëm në goditjen e varkave të supozuara të narkotrafikantëve në det, edhe pse hipoteza më e besueshme është që sulmet mbi objektet brenda Venezuelës do të nisin vetëm pas mbërritjes, pranë brigjeve të vendit të Amerikës Jugore, të aeroplanmbajtëses gjigante USS Gerald Ford, “anija më vdekjeprurëse” e Marinës amerikane, e parashikuar të mbërrijë javën e ardhshme.
Edhe Wall Street Journal tashmë e konsideron të sigurt sulmin kundër instalimeve të përdorura nga trafikantët e drogës, të cilat sipas Uashingtonit janë nën mbikëqyrjen e regjimit paramilitar të Maduro-s. Karteli i Soles eksporton rreth 500 tonë kokainë në vit drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara dhe, sipas hetuesve amerikanë, drejtohet nga vetë ministri i brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, i konsideruar prej kohësh si “shqiponja e regjimit” dhe madje “mjeshtri i kukullave” i Maduros.
Në shënjestër të sulmeve mund të jetë edhe vetë Maduro, të cilit ditët e fundit një senator republikan nga Florida i ka bërë thirrje “të arratiset në Kinë ose Rusi sa më parë të jetë e mundur”. Për kokën e presidentit venezuelan është vendosur një shpërblim prej 50 milionë dollarësh, më i larti ndonjëherë i ofruar nga Shtetet e Bashkuara për një kriminel të kërkuar. Ndërsa shpërblimi prej 25 milionë dollarësh është vendosur për Cabellon dhe ministrin e Mbrojtjes.
“Maduro do të gjendet i bllokuar dhe së shpejti mund të zbulojë se nuk mund të largohet nga vendi, edhe nëse e dëshiron,” tha burimi. “Ajo që është më keq për të, është se tani ka më shumë se një gjeneral të gatshëm ta kapë dhe ta dorëzojë, plotësisht i vetëdijshëm se një gjë është të flasësh për vdekjen dhe një tjetër ta shohësh atë duke ardhur.”
Një nga veprimet e para të Trump pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025 ka qenë nxitja e Departamentit të Shtetit për të shpallur disa kartele të drogës si organizata terroriste dhe kriminale transnacionale, përfshirë venezuelanët Tren de Aragua dhe më pas Kartelin e Soles.
Në gusht, Shtetet e Bashkuara filluan të kryenin një dislokim të gjerë ushtarak në jug të Detit të Karaibeve, pranë veriut të Venezuelës, duke krijuar një task-forcë të përbashkët që me mbërritjen e USS Ford do të përbëhet nga 14 anije luftarake, dislokimi më i madh ushtarak në ujëra ndërkombëtare që prej Luftës së Gjirit.
Një “Armadë” që përfshin deri në 10.000 ushtarë dhe personel ushtarak. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara mund të përdorin një numër të konsiderueshëm aeroplanësh luftarakë dhe bombarduesish strategjikë të vendosur në bazat e afërta amerikane. Gjatë javëve të fundit, SHBA-të kanë goditur dhe fundosur anije në ujëra ndërkombëtare – si në Detin e Karaibeve ashtu edhe në Oqeanin Paqësor – duke i akuzuar se transportonin kokainë. OKB-ja sot përsëriti se këto sulme janë “të papranueshme.”/Corriere della sera




















