Sali Berisha sfidon edhe një herë institucionet e shtetit që aspiron ta drejtojë dhe, si një hajdut ordiner, fshihet nga Prokuroria që e ka ftuar për ta marrë në pyetje. Një arratisje që përbën provën e radhës të fajësisë së tij: sepse po të mos kishte asgjë për t’u frikësuar, do të ishte paraqitur vetë në SPAK për të dëshmuar pafajësinë e tij për masakrën e 21 janarit.

Berisha, përkundrazi, fshihet pas argumenteve formale për procedurat e njoftimit të fletëthirrjes së SPAK-ut, të cilën njerëzit e tij kanë urdhër ta refuzojnë. Një hile e provuar më parë nga Çlirim Gjata, për shembull, dhe pastaj nga Belind Këlliçi apo, më parë akoma, nga Lulzim Basha dhe shumë të tjerë “heronj” të PD-së, që mbrojtjen e tyre nuk e kryejnë në sallën e drejtësisë, por ia delegojnë rojeve të zyrave të tyre, të cilët sa herë vjen puna për të pranuar fletthirrjen, bëjnë sikur nuk i njohin.

Përballë banalitetit të kësaj teknike, që mund ta vonojë drejtësinë por nuk mund ta ndalojë atë, SPAK duhet të hartojë një strategji të re. Për shembull, të paraqitet në sallën e parlamentit gjatë zhvillimit të seancës dhe t’i dorëzojë personalisht Sali Berishës fletëthirrjen e tretë. I kapur nga postieri i SPAK-ut pas bankës së tij, përpara 139 deputetëve, ky ish-president dhe ish-kryeministër që njollos me sjelljen e tij postet e larta që ka mbajtur, nuk do të mund të thotë më “s’e dija për fletëthirrjen”.

Dhe SPAK ka një rast të jashtëzakonshëm për të treguar botërisht vendosmërinë dhe guximin e tij edhe përpara “gangove” të politikës.