Viktor Agolli, ish-truproja historik i ish-kryeministrit Fatos Nano, ka rrëfyer episode nga jeta e Nanos dhe takimin e famshëm të këtij të fundit me Sali Berishën në studion e “Opinion”.
Ai tregoi se Fatos Nano asokohe ishte pak i tensionuar, por mes dy liderëve më pas gjithçka shkoi mirë dhe darkuan.
Viktor Agolli u shpreh se pas intervistës dhe darkës, Fatos Nano në ashensor i tha me humor:”Shkërdhatë, u mërzite ti?”.
“Një nga momentet më të lumtura të Nanos ishte takimi pas 10 vitesh te Blendi Fevziu me Berishën.
Pas 10 vitesh akuza dhe divergjenca, u takuan.
Ishte i tensionuar dhe më tha një fjalë, kur mbaroi intervista shkuan dhe në një darkë dhe kur hymë në ashensor më tha ‘shkërdhatë u mërzite ti’”-tha ai për News 24.
Ai ka kujtuar disa nga momentet më të vështira të jetës së Nanos, përfshirë periudhën e burgut, vdekjen e nënës dhe vendimet e rëndësishme politike që mori më vonë.
Agolli tregoi se një nga fatkeqësitë më të mëdha të jetës së Fatos Nanos ishte vdekja e nënës së tij në kohën kur ai ndodhej në burg.
Sipas tij, Nano u lejua ta përcillte të ëmën për në banesën e fundit vetëm pas ndërhyrjes së Ambasadës amerikane, pasi autoritetet e asaj kohe nuk e lejonin.
“Fatkeqësia më e madhe e Nanos ishte kur i ndërroi jetë nëna, por makabriteti më i madh ishte ajo që iu bë nga Berisha dhe Meta, që i shkatërruan karrierën. Me zor e lanë të varroste nënën vetëm pas ndërhyrjes së Ambasadës Amerikane”, – rrëfeu Agolli.
Ai ka treguar gjithashtu edhe momentin e lirimit nga burgu, duke theksuar se Nano refuzoi çdo favor nga qeveritarët e kohës dhe e vuajti dënimin deri në ditën e fundit.
“Erdhi nga Burgu i Bënçës në Tiranë pasi i rrezikohej jeta. Qeveritarët e PD-së i thoshin ‘dil nga burgu’, por ai nuk pranoi. Doli më 13 mars, ndenji vetëm 10 minuta në familje për të takuar babanë dhe u nis menjëherë në Spille, ku qëndroi tri ditë në shtëpinë e Astrit Mërtirit,” – kujtoi Agolli.
Në intervistë, ish-truproja ka folur edhe për raportin mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës, si dhe arsyen pse Nano vendosi ta mbështeste Ramën për kryetar të Partisë Socialiste.
Sipas tij, Nano besonte se Edi Rama ishte i vetmi që mund ta mundte Sali Berishën në një klimë të ashpër politike.




















