Shqipëria në zi për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, ish-kryeministër dhe lider historik i Partisë Socialiste. Që prej orës 08:30 të mëngjesit, dyert e Pallatit të Kongreseve janë hapur për familjarë, qytetarë e socialistë që duan t’i japin lamtumirën e fundit njeriut që la gjurmë të thella në politikën shqiptare të pas viteve ’90. Bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokoli dhe vajza Edlira presin me dhimbjen e madhe njerëzit që vijnë për t’u përulur para kujtimit të tij.
Pas homazheve publike, nga ora 11:15 deri në 11:45, do të zhvillohen homazhet e personaliteteve të larta të shtetit dhe trupit diplomatik. Mes tyre, do të jenë Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, dhe Kryeministri Edi Rama, pasuesi i Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste. Rama do të mbajë një fjalim për të kujtuar figurën politike të Nanos, ndërsa bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, pritet të mbajë fjalimin në emër të familjes.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë nga rajoni: Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministra dhe deputetë të kabinetit të tij; zëvendëskryeministri i Malit të Zi; si dhe kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare. Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.
Në fund, me nderime, trupi i Nanos do të niset në orën 12:05 nga Pallati i Kongreseve për në banesën e fundit, që do të jetë në Sharrë. Familja ka kërkuar të kryejë në privatësi, në shtëpi edhe shërbesën e ritualit ortodoks për Fatos Nanon, i cili ishte i pagëzuar dhe i martuar me Xhoanën në Kishën Ortodokse Shqiptare.
Fatos Nano ndërroi jetë të premten e 31 tetorit në një prej spitaleve private në kryeqytet ku po qëndronte prej 24 ditësh. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm pas problemeve kronike kronike respiratorë. Së fundmi ai pësoi arrest kardiak e më pas vdekje klinike të trurit.
4 herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i të majtës, vizionar për Shqipërinë dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës gjatë periudhës së tranzicionit.




















