Kombëtarja shqiptare U-21 ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në miqësoret e nëntorit, duke triumfuar 2–0 ndaj Ukrainës U-21 në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi zhvilluan një paraqitje shumë të mirë, duke dominuar pjesën më të madhe të lojës. Golin e parë e realizoi Ermir Rashica në minutën e 39-të, ndërsa në kohën shtesë rezultatin e vulosi Gjergji Kote.
Formacioni titullar
Simon Simoni (GK), Elton Fikaj, Ervin Bashi, Gabriel Ramaj, Feta Fetai (C), Burak Alili, Ermir Rashica, Etnik Brruti, Aidon Shehu, Arlind Kurti, Fabjan Përndreca.
Shqipëria nisi ndeshjen në mënyrë agresive, duke rrezikuar që në minutën e 5-të me Rashicën, i cili provokoi sërish portierin ukrainas në minutën e 12-të. Mbrojtja kuqezi u tregua solide duke mos lejuar raste të rrezikshme për kundërshtarin.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë vijuan të administronin lojën dhe të godisnin me kundërsulme të shpejta. Në minutën e 65-të, trajneri Bushi aktivizoi Kevin Dodajn dhe Rrok Tomën në vend të Brrutit dhe Rashicës. Pikërisht Dodaj nisi aksionin që u finalizua nga Gjergji Kote në fund të ndeshjes për golin e dytë.
Kjo ishte fitorja e dytë miqësore brenda pak ditësh, pas suksesit ndaj Moldavisë. Dy testet e nëntorit vlerësohen si shumë të rëndësishme për përgatitjen e Shqipërisë U-21 për kualifikueset e Europianit U-21 2027.




















