Sherri i Flamur Nokës me anëtaren e Kryesisë në Kamëz ka krijuar të tjera përplasje brenda kampit demokrat. Ish-deputeti Edmond Spaho ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të Flamur Nokës, i cili e përjashtoi Anila Aliajn nga PD e Kamzës, duke shkruar se e larguan si në kohën e Partisë së Punës kur syrgjynoseshe për shkeljen e vijës së Partisë.
Me ironi, Spaho shkruan se anëtarësi nuk duhet të mendojë, por duhet të zbatojë çfarë thotë Flamuri.
“E përjashtoi Flamuri nga kryesia zonjën Anila Aliaj sepse i kërkoi llogari për mosrespektimin e primareve. E përjashtuan se foli, se ka mendim ndryshe nga udhëheqja. Anëtarësia nuk duhet të mendojë, ajo duhet vetëm të zbatojë ato që thotë Flamuri. Ngjashëm me kohën e PPSH kur të përjashtonin për shkeljen e vijës së Partisë dhe syrgjynoseshe.
Ngjashëm me kohen e Lulzim Bashës qe përjashtoi 5 deputete, midis te cilëve dhe Flamur Nokën sepse kishin mendime ndryshe nga Basha. Sot te përjashton Foltorja e Flamur Nokës. Njëlloj sikurse te përjashton edhe Rama nga partia e tij. Fole po deshe. Jetojmë në demokraci”, shkruan Spaho.
Debatet mes Nokës dhe Alialjt ndodhën gjatë një takimi me anëtarët e PD në Kamëz. Aliaj po kritikonte Nokën për katandisjen e PD-së, ndërsa ai me tone të ashpra i tha se nuk i merr mendim asaj për Primaret, pasi vendosin vetë.




















