Atentati që tronditi sot Tiranën ndodhi vetëm 20 metra larg protokollit të shtetit, në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani.
Gazetari Merin Maçi ka dhënë detaje të reja dhe dinamikën e plotë të atentatit, të cilin e përshkroi si një ekzekutim të mirëorganizuar.
“Automjeti i viktimës është përballur me breshëri plumbash. Makina ka vijuar drejt, duke hyrë kundravajtje. Plumbat kanë shkuar edhe në një hotel aty pranë”, tha Maçi në emisionin “Opinion”.
Sipas tij, tre persona të armatosur me kallashnikovë kanë zbritur nga një mjet dhe kanë qëlluar në drejtim të makinës së viktimës, ndërsa sulmi ka ndodhur me gjakftohtësi të plotë.
“Njëri nga autorët, pasi i bllokohet arma, i kërkon bashkëpunëtorit kallashnikovin dhe qëllon sërish drejt Gilmando Danit. Çdo gjë ka ndodhur me qetësi, pa pasur asnjë patrullë policie aty pranë. Skuadra e atentatorëve ishte si togë pushkatimi”, theksoi gazetari.
Sipas Maçit, autorët kanë vepruar me profesionalizëm dhe duket se kanë qenë të mirëinformuar për lëvizjet e viktimës.
“Policia e ka ngjarjen të filmuar. Personi që afrohet pranë Gilmando Danit dukej ‘profesionist’, çdo gjë e bënte me qetësi. Autorët kanë qenë me maska”, u shpreh ai.
Gazetari shtoi se Gilmando Dani kishte qenë më parë objekt i një atentati të ngjashëm në të njëjtën zonë, por kishte arritur të shpëtonte.
Ndërkohë, i plagosuri Muçi Shaljani, që dyshohet se është punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndodhet në gjendje tepër të rëndë.
“Efektivi nuk ka qenë me precedentë kriminal, por njihej si lidhje shoqërore me grupin e Emiljano Shullazit”, sqaroi Maçi.
Sipas tij, hetuesit dyshojnë për ekzistencën e një informatori që mund të ketë ndihmuar atentatorët, ndërsa një automjet, që dyshohet se ka qenë në vëzhgim të viktimës, po verifikohet nga policia.
“Grupi i Gilmando Danit ka pasur hesape të hapura me shumë persona. Pista kryesore është përplasja mes grupeve kriminale. Grupi i Shullazit, i evidentuar edhe nga SPAK, ‘punonte’ edhe nga burgu”, deklaroi gazetari.
I konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Gilmando Dani ishte një emër tejet i njohur për drejtësinë. Ai ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe pre e të paktën dy atentateve në të shkuarën.
Kur ndodhi ngjarja, Gilmando Dani sapo kishte mbërritur në aeroportin e Rinasit së bashku me Shaljanin, i cili rezulton person pa precedentë penalë.
Ata sapo ishin kthyer nga Barcelona. Nga Shqipëria ishin larguar më datë 7 nëntor dhe automjetin e kishin parkuar në aeroportin e Rinasit.




















