Situata në Kaskadën e Lumit Drin është plotësisht nën kontroll dhe nuk parashikohet hapje e portave të hidrocentraleve. Ky ishte mesazhi që përcolli zv.kryeministrja dhe ministre e Energjisë Belinda Balluku, gjatë inspektimit në orët e mbrëmjes në hidrocentralin e Komanit. Zonja Balluku deklaroi:

“Pritet një përmirësim i motit gjatë ditës së enjte dhe përsëri të premten do të ketë agravim. Megjithatë ne jemi të përgatitur dhe çfarë është më e rëndësishme, që duam tu themi të gjithë njerëzve, nuk parashikohet hapje e portave të hidrocentraleve.

Shpesh abuzohet me lajmet, në rastet e përmbytjeve të Nënëshkodrës, ndaj ne po e bëjmë me dije se i kemi kapacitetet, sepse kemi punuar që nga data 11 Nëntor për të liruar volume dhe kemi rreth 4.5 metra mundësi për të akumuluar në Liqenin e Vaut të Dejës dhe rreth 7 metra në Liqenin e Komanit.

Ndërkohë 5 agregatet e Vaut të Dejës janë në funksion dhe 4 agregatet e Komanit janë në funksion, ndërsa Fierza qëndron e mbyllur për të akumuluar sa më shumë dhe për të rritur nivelin e liqenit”.