Federata Turke e Futbollit (TFF) ka pezulluar 149 gjyqtarë për periudha që variojnë nga tetë deri në 12 muaj, si pasojë e përfshirjes së tyre në baste mbi rezultatet e ndeshjeve, ndërsa kundër tre të tjerëve po zhvillohen ende procedura disiplinore.
Sipas hetimeve të TFF-së, nga 571 gjyqtarë të regjistruar në ligat profesionale, 371 kanë adresa të hapura në pikat e basteve dhe 152 janë aktivë në baste. Ndër ta janë 22 gjyqtarë të Superligës (7 kryesorë dhe 15 ndihmës) që kanë drejtuar ndeshje në nivelin më të lartë të futbollit turk.
Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmanoglu, theksoi rëndësinë e integritetit: “Arbitrimi është një profesion i nderuar dhe kushdo që e shkel këtë nder nuk do të ketë më kurrë vend në futbollin turk”, tha ai.
Federata raportoi gjithashtu se 10 gjyqtarë kishin vendosur baste në më shumë se 10 mijë ngjarje sportive, ndërsa 42 të tjerë kishin kryer mbi 1,000 pagesa. Deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar nëse disa nga gjyqtarët e pezulluar kanë vendosur bast mbi ndeshjet që vetë i kanë gjykuar.




















