Kreu i PD Sali Berisha nisi sot para Kryeministrisë ‘Foltoren 2’, ku u braktis nga militantët e Partisë Demokratike, pasi pjesëmarrja në protestë ishte e vogël.

Në një lidhje skype për emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, juristi Kreshnik Spahiu e cilësoi këtë protestë si më të voglën në histori. Ai tha se protesta tregoi se PD ka degraduar në nivelin e shoqatave.

‘Protesta e sotme tregon se është protesta më e vogël në historinë e Shqipërisë të kësaj partie. E para flasin numrat dhe nuk është pjesë e dobësinë organizative të Berishës por provë dhe fakt i humbjes së mbështetjes ndaj PD. Berisha është përpjekur për të organizuar protestë në ditë më të vështira. Ai sot tregoi se ka arritur dhe e ka degraduar partinë në nivelin e shoqatave. Edhe shoqatat kanë bërë protesta më të mëdha se PD sot, edhe partitë e reja kanë bërë protesta më të mëdha’, tha ai.

Teksa u ndal tek partitë e reja, ai tha se gabimi i tyre ka qenë koalicioni që bënë me Berishën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Spahiu theksoi se në zgjedhjet e ardhshme, partitë e reja nuk do të marrin asnjë bashki.

‘Unë them se partitë e reja do ta kenë të vështirë sepse dy partitë kryesore të reja si ‘Shqipëria bëhet’ dhe ‘Mundësia’, bënë një gabim sepse u futën në koalicion me Berishën, pasi kjo të sjell një goditje të rëndë. Në zgjedhjet e ardhshme partitë e reja nuk marrin dot asnjë bashki dhe PD do të jetë në kufinjt që do të marrë 3 ose 4 bashki. PD është parti e kapur dhe e marrë peng si parti’, tha ai.