Nga Ilir Beqaj

I nderuar Inspektor i Lartë i Drejtësisë,

Ndoqa me interes raportimin tuaj vjetor në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk zhgënjyet. Ishit po aq zhgënjyes sa edhe në raportimin e vitit të kaluar.

Duke dëgjuar raportimin tuaj, më kujtuat kryetarin e dikurshëm të Frontit Demokratik që merrej me “shfaqjet e huaja”. Sepse inspektimet tuaja duken se janë për sjelljet “e pahijshme” të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dikur Fronti shihte njerëzit nëse vishnin pantallona të gjera, nëse mbanin flokë të gjatë, nëse rrinin mbi taka të larta, nëse vishnin funde të shkurtra apo nëse lyenin manikyr në thonj.

Asgjë për prokurorë që bëjnë hetime të paligjshme. Asgjë për akuza të pabazuara në ligj.

Ju kam sjellë, përmes mbrojtësit tim ligjor, një ankesë për një gjyqtar të GJKKO-së që në shkurt të vitit 2025. Ende asnjë përgjigje. Nuk kam më asnjë shpresë të marr ndonjëherë.

Në korrik 2024, në kërkesën për masë sigurie ndaj meje, SPAK (duke më hetuar si “funksionar i lartë”) arsyeton në kërkesën e tij:

“Përcaktimi i kategorisë së funksionarëve të lartë shtetërorë deduktohet nga ligjet që rregullojnë funksionimin e administratës shtetërore… Pra, nuk përjashtohet aspak që funksionarë të lartë shtetërorë të jenë edhe nëpunës civilë apo funksionarë të tjerë shtetërorë dhe jo vetëm funksionarë politikë apo të përcaktuar nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale.”

Dhe më poshtë:

“Për sa i përket ligjit specifik që rregullon SASPAC, ky institucion është krijuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 642.”

Përmbledhtazi, SPAK ka kërkuar masë sigurie për mua me arsyetime si:

– deduktohet nga ligjet;

– nuk përjashtohet aspak;

– ligji specifik është një VKM.

Pra, SPAK shpik vetë cilët janë subjektet që duhet të hetojë. Shpik vetë ligjin që duhet të zbatojë.

Te na rrojë Kushtetuta (neni 138, pika 2)!

Te na rrojë Kuvendi që miraton ligje!

Te na rrojë Reforma në Drejtësi!

Te na rrojnë GJKKO dhe Kodi i Procedurës Penale!

Madje, te na rrojë edhe Komisioni i Venecias që është merakosur për të njëjtin problem (shih nenin 50 të opinionit të Komisionit të janarit 2016 për draftligjet e reformës në drejtësi).

Ju, i nderuar, u merakosët para Kuvendit se gjyqtarët paskan ngarkesë. Po ju, si i ndihmoni që të ulet ngarkesa? Pse ka seanca për çështje që nuk duhet të ishin kurrë çështje për gjykim?

Këtë kërkesë të SPAK, pra cilësimin e detyrës sime si funksionar i lartë, e ka rrëzuar GJKKO në shkallë të parë më 6 korrik 2024.

Të njëjtin arsyetim e ka rrëzuar edhe Apeli i GJKKO më 7 gusht 2024.

Megjithatë, në njoftimin e akuzës në shkurt 2025, SPAK ka përsëritur të njëjtin arsyetim.

Nuk jam i vetmi person që jam përballur me “ligjin” që shpik SPAK.

Janë më shumë se gishtat e dorës rastet ku SPAK ka cilësuar subjekte të ndryshme si “funksionarë të lartë”, ndërsa GJKKO i ka rrëzuar një për një.

Ka vetëm një shpjegim: inekzistenca juaj, zoti Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

SPAK vazhdon njësoj. Pse?

Siç thoshin latinët: *Errare humanum est, perseverare autem diabolicum* – të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.

Dhe ky është thelbi i problemit: SPAK vazhdon të shpikë funksionarë të lartë, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë, vit pas viti, vazhdon të mos bëjë detyrën.

Për këtë rast nuk do të bëj ankesë tek ju. Nuk do t’ju jap kënaqësinë të jem një statistikë më shumë në raportimin tuaj të ardhshëm vjetor.

Sepse unë nuk besoj më te raportet që mbushen me numra, por te veprimet që mbushin me kuptim drejtësinë.

Aty ku hesht Inspektori i Lartë i Drejtësisë, lulëzon prepotenca e atyre që injorojnë kushtetute e ligje, sajojnë funksione për të shpikur faj.

Drejtësia nuk kërkon inspektorë të sjelljes, por rojtarë të ligjit. Ajo nuk ka nevojë për moral pas ngjarjes, por për përgjegjësi para ligjit.