Nga konferenca e përbashkët për shtyp, Ministrja Elisa Spiropali dhe homologu kroat bënë një ftesë publike për Bullgarinë, për t’ju bashkuar deklaratës së përbashkët për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Kjo marrëveshje trilaterale është nënshkruar tashmë mes Shqipërisë, Kroacisë, dhe Kosovës.

“U shprehëm, gjithashtu, të hapur për të përfshirë gradualisht edhe partnerë të tjerë me të njëjtat qëndrime, dhe do të mirëprisnim pjesëmarrjen e Bullgarisë në fusha ku përputhen interesat strategjike, veçanërisht në lidhje me ndërlidhshmërinë Adriatiko–Joniane, qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale. Objektivi ynë është i qartë: ta bëjmë rajonin tonë më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm dhe më të përafruar me arkitekturën europiane dhe euro atlantike. Në këtë kontekst, mirëpritëm rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, siç reflektohet në formatin trilateral të krijuar këtë vit dhe të formalizuar përmes “Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes”. E konsiderojmë këtë bashkëpunim një platformë të vlefshme për rritjen e ndërveprueshmërisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse rajonale dhe mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës”, tha Spiropali.